Serie A, Roma, Dybala këmbëngul per t’u rikuperuar për botërorin e Katarit

Sport

Paulo Dybala mendohet të jetë një element kyç në ecurinë e Romës në këtë sezon, por argjentinasi nuk mund të japë kontributin e tij për ekipin e trajnerit Mourinho deri në vitin e ardhshëm, për shkak të një dëmtimi. Sulmuesi pësoi një tërheqje muskulore në takimin e fituar 2-1 ndaj Lecce-s, me Dybala-n që u zëvendësua menjëherë pasi ekzekutoi edhe 11-metërshin që i dha 3 pikët romanëve. Edhe pse ndoshta me Romën i ka mbyllur llogaritë për 2022-shin, Dybala kërkon të rikthehet sa më shpejt në fushën e blertë. Sipas asaj që zbulojnë burimet pranë lojtarit, 28-vjeçari është duke punuar për të qenë gati për kombëtaren e Argjentinës për botërorin e Katarit. Dybala beson se do të marrë një ftesë nga përfaqësuesja e tij, por për këtë, duhet të jetë në formë të mirë fizike. Veç stafit mjekësor të Romës, lojtari ka punësuar edhe në mënyrë private mjekë dhe përgatitës fizik, për t’u bërë gati sa më shpejt. Ende nuk dihet nëse rikuperimi i tij për botërorin e Katarit është një mundësi reale, por sulmuesi nuk do të heqë dorë pa e provuar. Madje thuhet se ai ka marrë mbështetjen e plotë edhe të federatës argjentinase, me Walter Samuel që po e ndjek nga afër ecurinë e rikuperimit të Dybala-s. 28-vjeçari numëron 3 gola të shënuar në 34 paraqitje me kombëtaren e tij dhe synimi i sulmuesit është të japë maksimumin në Katar, ku kërkon të luajë një rol prej protagonisti. Mediat italiane shkruajnë që gjasat që ai të jetë gati nuk janë shumë të mëdha, por për sa kohë ka mbështetjen e stafit të Argjentinës, atëherë Dybala nuk ka arsye pse të mos jetë optimist. Në këtë sezon të ri, Dybala numëron 11 ndeshje me fanellën e Romës, mes kampionatit italian dhe kompeticioneve europiane, ku ka arritur të shënojë 7 gola e të shërbejë 2 asiste për shokët e tij të skuadrës.