Serie A, Roma dhe Lazio e nisin me fitore sezonin e ri

Sport

Roma i ka bërë një nisje pozitive sezonit të ri në Serie A. Në javën e parë të kampionatit, verdhekuqtë fituan minimalisht me rezultatin 1-0 në transfertën e Salernitanës. Golin e vetëm të takimit e shënoi Bryan Cristante në minutën e 33.

Ky është sezoni i 4 radhazi që goli i parë i Romës në kampionat shënohet nga një mesfushor. Përveç Cristantes, më herët ia kanë dalë ta bëjnë një gjë të tillë Mkhitaryan, Veretout dhe Under.

Në këtë mënyrë, ekipi i drejtuar nga Jose Mourinho ka dhënë edhe një sinjal për rivalët, se këtë edicion, objektivave maksimalë iu është shtuar një konkurent më tepër. Jo vetëm për zonën Champions, por ndoshta diçka më tepër se kaq.

Më tej, edhe skuadra tjetër e kryeqytetit, Lazio, e ka nisur me fitore sezonin e ri futbollistik. Të kaltërit, mposhtën në Olimpico ekipin e Bolognas me rezultatin 2-1. Pasi sfida ishte e mbërthyer në shifrat 1-1, golin e fitores për të besuarit e Maurizio Sarrit e shënoi i zakonshmi Çiro Immobile në të 79-tën minutë.

Sulmuesi i qendrës ia del të shënojë për vitin e 5-të radhazi që në javën e parë të kampionatit në Serie A, duke u bërë kësisoj vetëm lojtari i 4 që e gëzon këtë statistikë që pas sezonit 1994/95.

Sa I përket javës së ardhshme, Roma pret Cremonesen në shtëpi, kurse Lazio udhëton në transfertën e Torinos.