Roma “bie” në “Olimpico”. Në javën e 7-të të Serie A, verdhekuqtë kanë pësuar një humbje në shtëpi me rezultatin minimal 1-0 nga Atalanta. Golin e vetëm të takimit e realizoi Giorgio Scalvini në minutën e 35 me një gjuajtje nga jashtë zonës.
E djathta e 18 vjeçarit italian përfundoi në cepin e kuadratit, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Rui Patricio për të reaguar.
Nga ky moment, të zotët e shtëpisë provuan në të gjitha mënyrat për t’u rikthyer në lojë, por nuk ia dolën dot, pavarësisht mundësive të krijuara, me futbollistë si Tammy Abraham, Nicolo Zaniolo, apo edhe Shomurodov.
Pas disfatës 4-0 në transfertën e Udineses, kjo ishte humbja e dytë sezonale për Romën, që tashmë zbret në vendin e 5-të të tabelës në kuotën e 13 pikëve. Trajneri i kryeqytetasve, Jose Mourinho, nuk e fshehu tensionin që e shoqëroi përgjatë ndeshjes, aqsa në minutën e 57-të, arbitri Daniele Chiffi e ndëshkoi portugezin drejtpërdrejt me karton për shkak të protestave nga ky i fundit.
Në konferencën për ndeshjes, Mourinho u shpreh se Roma humbi një ndeshje, të cilën për nga mënyra sesi u luajt, duhej ta kishte fituar me shumë lehtësi. Special One ka vlerësuar lart paraqitjen e skuadrës së tij, sidomos në fazën sulmuese.
Megjithatë, në futboll me tepër peshë sesa gjithçka tjetër ka goli dhe atë e shënoi Atalanta. Bergamaskët po kalojnë një moment fantastik këtë fillim sezoni, teksa në 7 javët e para regjistrojnë 5 fitore dhe vetëm 2 barazime, duke u klasifikuar kështu në vendin e dytë në kuotën e 17 pikëve, po aq sa Napoli i vendit të parë.