Pritshmëritë ndaj Romës së Gian Piero Gasperinit janë vërtet të mëdha, ndonëse vetë tekniku, në prezantimin e tij, vendosi si objektiv kryesor zonë europiane. Në organikën e verdhekuqve për sezonin e ri do të ketë jo pak ndryshime, ndërkohë që lëvizjet në merkato, sidomos ato në hyrje, janë të gjitha të konsultuara me teknikun 67-vjeçar. Nga ajo që raportojnë mediat italiane, një nga profilet e pëlqyer nga Gasperini është ai i Nadir Zortea-s. Një ish-lojtar i Atalantës, me të cilin trajneri ka patur mundësinë të punojë edhe më parë, Zortea ka dhuruar performanca mjaft të mira në radhët e Cagliari-t gjatë sezonit që lamë pas. Ai madje luajti një rol kyç në luftën për mbijetesë tek skuadra nga Sardenja, duke qenë i rëndësishëm në të dyja repartet. Pikërisht Zortea mund të jetë nga afrimet e para të Romës, ndërkohëq që edhe për sulmin pritet të këtë lëvizje. Duke ndjekur largimet e Abraham dhe Shomurodov, Roma po sheh me kujdes situatën e Georges Mikautadze. 24-vjeçari gjeorgjian ka kërkuar largimin nga skuadra e Lyon, pas problemeve financiare të këtyre të fundit dhe Roma është gati të përfitojë. Mediat raportojnë se një ofertë prej 20 milionë eurosh mund të ishte e mjaftueshme për ta bërë realitet këtë transferim, por kryeqytetasit italianë nuk kanë ndërmend të nxitohen. Në diskutimet për Mikautadze, mund të përfshihen edhe Tanner Tessman. Mesfushori amerikane, dikur pjesë e Venezia-s, mendon po ashtu largimin nga Lyon-i pas vetëm 1 viti dhe një rikthim në Itali, do të ishte i mirëpritur. Për të, klubi francez kërkon të paktën 7 milionë euro, pa llogaritur bonuset, teksa Roma duhet të mposhtë edhe konkurencën e Pisa-s.
