Serie A, Rabiot beson tek Allegri; francezi synon ‘Scudetto’-n dhe ‘Europa League’-n

Sport

Juventusi e ka lënë pas momentin negativ të nisjes së sezonit dhe me gjashtë fitore radhazi në kampionat, tashmë renditen në vendin e tretë, vetëm 2 pikë larg Milanit të vendit të dytë. Një nga ata që ka shkëlqyer në radhët e bardhezinjve është edhe Adrien Rabiot, i cili ka rezultuar vendimtar për skemat e Massimiliano Allegri-t, teksa numëron 5 gola e 2 asiste në 16 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Vetë mesfushori francez ia jep të gjitha meritat trajnerit të tij dhe u shfaqur i bindur se nën dretimin e teknikut livornez, Juventusi i ka të gjitha mundësitë për të mbërritur tek titulli kampion. Sipas Rabiot, Allegri meriton të gjitha lëvdatat për mënyrën se si e ka shtyrë skuadrën të kalojë momentin e vështirë të nisjes së sezonit dhe se marrëdhënia e tij me lojtarët mbetet shumë e mirë. Vetë Rabiot nuk ka ndërmend të heqë dorë nga objektivat madhorë, duke synuar jo vetëm ‘Scudetto’-n në Itali, por edhe trofeun e ‘Europa League’-ës. 27-vjeçari mendon se sezoni është ende i gjatë dhe Juventusi i ka të gjitha mundësitë për të rikuperuar diferencën prej 10 pikësh që ka me Napolin kryesues. Por për këtë, ai kërkon që skuadra të vijojë të ruajë formën fizike dhe të vazhdojnë me të njëjtën dëshirë për sukses si në 6 ndeshjet e fundit. Në fund, Rabiot foli edhe për çështjen e të ardhmes së tij, duke qenë se kontrata aktuale me Juventusin skadon në fund të këtij sezoni. Francezi mendon se është herët për të diskutuar diçka të tillë, ndonëse nuk e mohoi se ka patur disa oferta nga Anglia. Për momentin, Rabiot është i përqëndruar tek botërori në Katar dhe vetëm pas këtij kompeticioni, do të fillojë të mendojë për të ardhmen e tij.