E ardhmja e Chris Smalling do të jetë vetëm në Romë. Mbrojtësi i qendrës është në muajt e fundit të kontratës me klubin italian dhe e ardhmja e tij është diskutuar jo pak. Nuk kanë munguar zërat se mbrojtësi i qendrës mund të rikthehej edhe një herë tjetër në Premier League, aty ku klube të ndryshme janë interesuar për të përgjatë kohëve të fundit. Mirëpo, diçka e tillë nuk do të ndodhë.
Sipas informacioneve që vijnë nga mediat përtej Adriatikut, Smalling do rinovojë me Romën, kontratë nga e cila pritet të përfitojë rreth 3.5 mln euro në sezon, ndonëse kohëzgjatja ende nuk bëhet e ditur.
Që prej verës së 2020-tës, britaniku ka qenë rregullisht pjesë e formacionit titullar të skuadrës verdhekuqe, duke i sjellë mjaft qëndrueshmëri prapavijës. Mirëpo, Smalling ka ditur të jetë efektiv edhe në aspektin sulmues. Ish-lojtari i Manchester United ka shënuar 10 gola, e po ashtu ka dhënë 5 asiste për shokët e ekipit.
Nën urdhërat e trajnerit Jose Mourinho, 33 vjeçari konsiderohet i paprekshëm. Në rrethana të tilla, për aq kohë sa Special One të jetë udhëheqës i anijes verdhekuqe, e ardhmja e Smalling do jetë vetëm në “Olimpico”.