Serie A, Polemika për Juve-Bologna; Lazio mposhtet edhe nga Genoa

Sport

Juventus nuk ka mundur të shkojë më larg se sa një barazim 1-1 me Bologna-n, në ndeshjen e parë sezonale në shtëpi. Bardhezinjtë e panë veten në disavantazh në minutën e 24-t, kur Ferguson shfrytëzoi më së miri asistimin e sulmuesit Zirkzee. Përgjigjja e vendasve do të vinte vetëm në minutën e 7 të pjesës së dytë, por goli i realizuar nga Vlahovic do të anullohej për një pozicion të parregullt. Juventusi do të hidhej përpara për të kërkuar golin me çdo kusht, ndërkohë që Bologna filloi të shfrytëzonte kundërsulmet. Në një moment të tillë, do të lindte edhe polemika më e madhe e kësaj sfide, për një penallti të pretenduar nga miqtë pas një ndërhyrjeje ndaj Ndoye, nga ana e Iling-Junior. Arbitri do të vijonte lojën dhe sistemi ‘VAR’ nuk do të ndërhynte. 10 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Vlahovic do të gjente sërish rrugën e rrjetës, këtë herë duke festuar siç duhet. Pas takimit, arbitri Di Bello kërkoi të mbronte vendimin për të mos akorduar penallti në kontaktin mes Ndoye dhe Iling-Junior, ndërkohë që edhe tek Juventusi kanë pretendimet e tyre. Ka qenë trajneri Max Allegri, cili ka kërkuar llogari për dy momente të diskuteshme në zonën emiliane, por pavarësisht kësaj, të dyja skuadrat duhet të kënaqen me nga një pikë, teksa vendimet e arbitrave do të vlerësohen gjatë javës nga ana e komisionit të federatës.

Tjetër zhgënjim për Lazio-n. Përpara tifozëve të tyre, lojtarët e Maurizio Sarri-t kanë bërë sërish një paraqitje aspak të kënaqshme, pasi u mposhtën minimalisht, 0-1 nga skuadra e Genoa-s. Mateo Retegui në minutën e 16 ishte ai që shënoi golin vendimtar të sfidës, që ishte edhe i pari për të në karrierë në ‘Serie A’. Kryeqytetasit protestuan disa herë për mungesën e një penalltie, duke shfaqur edhe një tension të qartë gjatë gjithë lojës. Por nga ajo që u pa në fushë, arbitri Marinelli ka bërë si duhet detyrën, duke u konsultuar vazhdimisht me sistemin ‘VAR’ dhe Sarri-t nuk i mbetet gjë tjetër, por të bëjë lëvizjet e tij për të ndryshuar situatën, pasi skuadra është ende me zero pikë pas dy javëve të para.