Serie A, Pioli drejt zyrtarizimit tek Fiorentina; Pisa përzgjedh Gilardino-n

Sport

Këtë verë, veç merkatos së futbollistëve, kanë ënë në sy edhe lëvizjet e trajnerëve. Sidomos në Itali, ku më shumë se gjysma e skuadrave, përfshirë edhe ato të fillimit të tabelës, kanë ndryshuar trajnerët. Si pjesë e lëvizjeve të fundit, ishte largimi i Filippo Inzaghi-t nga drejtimi i Pisa-s, që sapo u ngjit në ‘Serie A’. Vendimi është marrë vetë nga ‘SuperPippo’, ndërkohë që drejtuesit kanë arritur të sigurojnë teknikun që do të provojë mbijetesën në sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë për një tjetër ish-lojtar të Milanit, Alberto Gilardino. Ish-trajneri i Genoa-s në fillimin e sezonitë të shkuar, Gilardino u largua nga klubi ligurian për shkak të një serie rezultatesh jo të mira, por tani ka arritur të sigurojë detyrën e tij të re. Tek Pisa kanë besimin e duhur se me eksperiencën e marrë në elitën e futbollit italian, 42-vjeçari do të dijë të ndërtojë një skuadër që objektivin kryesor ka pikërisht mbijetesën. Gilardino thuhet se do të firmosë një kontratë 2-vjeçare, edhe pse ende nuk është zbuluar nëse do të jetë me formulën 1+1, në rast të arritjes së objektivave, apo një kontratë e mirëfilltë që e sheh teknikun në krye të ekipit zikaltër për 2 sezonet e ardhshme. Ish-sulmuesi e nisi karrierën e trajnerit tek Rezzato në kategoritë e ulëta, e më pas kaloi tek Pro Vercelli, Siena dhe Genoa.

Ndërkohë që edhe Fiorentina e ka zgjedhur tashmë ‘timonierin’ e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Pas dorëheqjes së befasishme të Rafaelle Palladino-s, në krye të violëve do të vendoset Stefano Pioli. Akordi pritet të zyrtarizohet shumë shpejt, pasi klubi i Al Nassr e ka konfirmuar largimin e teknikut 59-vjeçar. Njeriu që fitoi titullin kampion me Milanin në 2022-shin, pritet të bëjë një rikthim të tijin tek Fiorentina, aty ky qëndroi nga vera e 2017-ës, deri në prillin e 2019-ës. Pioli e drejtoi Fiorentinën për 74 ndeshje, përpara se të bënte kalimin e tij tek Milani, ku ia doli të siguronte suksese të rëndësishme. Pioli qëndroi tek Al-Nassr vetëm 1 sezon, pasi dëshira për t’u rikthyer në Itali ishte e madhe. Për më tepër, tek Fiorentina gjen një projekt ambicioz dhe një grup kompakt lojtarësh, çfarë mund t’i japin Piolit mundësinë për të tentuar edhe objektiva të rëndësishëm.