Problemet e klubit të Juventusit me ligjin do të vazhdojnë për disa muaj me radhë. Torinezët ende shpresojnë se mund të arrijnë të shpëtojnë nga dënimet e marra nga gjykata sportive apo ajo e Torinos, por thuajse çdo javë, në skenë dalin fakte të reja kundër bardhezinjve. Njësoj si në rastin Cristiano Ronaldo, edhe Paulo Dybala pretendon të kenë një sasi të konsiderueshme të pagës që nuk i është kaluar në llogari nga ana e Juventusit. Bëhet fjalë për një shumë prej 3,7 milionë eurosh, që në fakt i përket kontratës së parë të lojtarit me bardhezinjtë. Dybala, nëpërmjet avokatit dhe përfaqësuesve të tij ligjorë, ka bërë deklaratën pranë gjykatës së Torinos, që ka patur një marrëveshje me Juventusin në rinovimin e kontratës, se prapambetja prej 3,7 milionë eurosh e pagës së tij njihej nga klubit torinez dhe se kishte një afat për shlyerjen e tij. Vetë Dybala thotë se nuk kërkon t’i hapë telashe ish-skuadrës së tij dhe është i bindur se çështja e tij do të gjejë një zgjidhje të lehtë dhe të kënaqshme nga të gjitha palët, mirëpo marrëveshja e firmosur me palëve vite më parë, detyron Juventusin të paguajë shumën prej 3,7 milionë eurosh, në formën e pagës së prapambetur, tek Dybala, brenda muajit prill të këtij viti. Sigurisht që argjentinasi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga këto para, por shpreson që gjithçka të mbyllet brenda afateve. Kështu, për momentin, ndaj Juventusit nuk ka asnjë çështje ‘Dybala’, të njëjtë si ajo e Ronaldos, pasi vetë lojtari aktual i Romës ka një mirëkuptim me klubin, me shpresën se brenda këtij muaji, do të bëhet edhe shlyerja e plotë e detyrimit të bardhezinjve ndaj tij.