Serie A nisi praktikisht ashtu sic ishte mbyllur e kaluara, me Napolin e Interin që treguan se do të jenë favoritet kryesore edhe këtë sezon. Megjithëse me trajner të ri, napoletanët kampionë në fuqi nuk e harruan zakonin e vjetër, duke përmbysur Frozninen – kampione të Serisë B, – falë Osimhen që konfirmoi se mbetet golshënuesi më i mirë në kampionatin italian. Nuk gabuan në start as zikaltërit, që me Lautaron ndaj Monzas, lëshuan sinjalin se janë ata rivalët kryesor të Osimhen me shokë. Duke dhënë idenë që në fillim se do të jetë një duel mjaft interesant në distancë ai me kampionët në fuqi.
Mirëpo duhet marrë seriozisht në konsideratë edhe Juventusi, që e filloi kampionatin me një sukses bindës 3-0 në fushën e Udineses. Në Dacia Arena mjaftojnë 45′ e para që bardhezinjtë të mbyllnin llogaritë, falë golave të Chiesas, Vlahovic nga 11-metrat dhe Rabiot. Në sajë të këtij suksesi në Udine, Allegri u bë trajneri i dytë i Juventusit që preku finishin e 250 sukseseve me Juventusin, aq sa tani gjendet vetëm pas Trapatonit me 319.
Në mënyrën më të keqe e nisi Lacio këtë sezon, pasi në Via del Mare të Lecces, skuadra e Maurizio Sarri u mposht 2-1 nga Lecce, e cila fitoi me përmbysje në fundin e ndeshjes. Goli i Immobile në minutën e 26-të nuk mjaftoi, pasi super-realizimi i Almqvist dhe Di Francesco kthyen gjithcka në favor të puljezëve, ku bëri një debutim pozitiv në Serinë A edhe lojtari i përfaqësueses kuqezi, Ylber Ramadani. Në start zhgënjeu edhe Roma me Murinjon e skualifikuar dhe me Bruno Kontin e rikthyer në stol. Salernitana e udhëhequr nga Kandreva, ia doli t’i rrëmbente një barazim 2-2
Rigjetja e golit të parë te verdhekuqtë pas një viti shterpër për Andrea Belottin, nuk u mjaftoi kryeqytetasve, që u detyruan të kënaqen vetëm me një pikë. Që do të jetë në vorbullën e pretendenteve e tregoi menjëherë edhe Atalanta, që fitoi 0-2 në transfertën e vështirë të Sasuolos. Për t’u regjistruar goli i parë italian i De Keteler, që në ndeshjen e parë goditi menjëherë në shenjë, ndërsa nuk ia kishte dalë dot në aktivizimet që pati me Milanin gjatë sezonit të kaluar.