Serie A, Napoli refuzon ofertën për Osimhen, i cili është pranë rinovimit

Sport

Victor Osimhen është shumë pranë rinovimit të kontratës me Napolin. Kampionët e Italisë morën një ofertë të rëndësishme nga Arabia Saudite për sulmuesin e tyre, por ky propozim është kthyer menjëherë mbrapsht nga ana e presidentit Aurelio De Laurentiis. Duke iu referuar raportimeve të bëra në mediat italiane, klubi i Al Hilal ishte gati të paguante 130 milionë euro për kartonin e sulmuesit nigerian, por De Laurentiis e ka bërë të qartë se për yllin e skuadrës, kërkon me shumë se 180 milionë euro. Ndërkohë që ka refuzuar ofertën saudite, De Laurentiis dhe drejtuesë të tjerë të klubit kanë patur mundësinë të takoheshin me agjentin e Osimhen, Roberto Calenda, për të konkretizuar rinovimin e kontratës së lojtarit. Kjo gjë në fakt ishte paralajmëruar prej kohësh nga ana e De Laurentiis, që pasi firmosi një marrëveshje të re me Kvaratskhelia-n, tani është duke ‘blinduar’ edhe pozitat e Osimhen. Nga ajo që zbulohet, kontrata e Osimhen do të zgjatet deri në vitin 2027, teksa paga e re e sulmuesit do të kapë shifrën e 7 milionë eurove, duke e shndërruar nigerianin në lojtarin më të paguar të kampionëve të Italisë. Ende nuk dihet se sa është klauzola e parashikuar në marrëveshjen e re mes palëve, që pritet të bëhet zyrtare.

Edhe Paris SG ka shfaqur interes për të firmosur me Osimhen, që e shohin si zëvendësuesin e duhur të Mbappe në majën e sulmit. Klubi parizien ka patur disa kontakte me De Laurentiis dhe stafin e tij, por kërkesat e italianëve janë të qarta. Nëse tek Paris SG e kërkojnë me ngulm transferimin e Osimhen, atëherë duhet të paguajnë thuajse 200 milionë euro në arkat e kampionëve të ‘Serie A’, që në anën tjetër, po lëvizin për të patur gati edhe një plan ‘B’, në rast se merkatoja e kësaj vere do të sjellë të tjera surpriza.