Aurelio De Laurentiis nuk ka ndërmend të heq dorë nga Victor Osimhen. Për momentin, presidenti i Napolit është e vetmja garanci që sulmuesi nigerian të vijojë aventurën e tij me kampionët e Italisë, pasi shumë media ndërkombëtare raportojnë se presioni i Al Hilal për të marrë lojtarin po bëhet edhe më i madh. Duke iu referuar këtyre raportimeve, flitet se përfaqësues të Osimhen kanë gjetur një akord paraprak me drejtuesit e Al Hilal, që e kanë bindur lojtarin duke i ofruar një pagë prej 40 milionë eurosh në sezon. Nëse kjo gjë do të rezultojë e vërtetë, atëherë klubi saudit është duke përgatitur edhe një ofertë tjetër për Napolin, duke iu afruar kërkesave të presidentit De Laurentiis. Pavarësisht dëshirës së këtij të fundit për të mbajtur Osimhen si pjesë të skuadrës, nëse drejt kampionëve të Italisë do të vijë një propozim prej 200 milionë eurosh për kartonin e sulmuesit nigerian, atëherë gjasat janë që edhe 24-vjeçari të bëhet pjesë e listës së yjeve të futbollit europian që transferohet drejt Arabisë Saudite. Nëse një skenar i tillë do të bëhej realitet, atëherë do të ishte një lajm shumë i keq edhe për trajnerin Garcia, që po ashtu rrezikon të humbasë edhe Piotr Zielinski-n. Duke qenë se nuk kanë mbetur shumë kohë deri në fillimin e sezonit të ri, edhe lëvizjet në merkaton bëhen akoma më të vështira, duke iu referuar këtu përpjekjeve për të gjetur një zëvendësues të Osimhen. Nga ana tjetër, De Laurentiis ka një marrëveshje verbale me lojtarin për rinovimin e kontratës, mirëpo Napoli nuk mund ta paguajë yllin kryesor të skuadrës më shumë se 8 milionë euro në sezon, që bashkë me bonuset do të kapte shifrën e 10 milionë eurove. Brenda javës pritet që Al Hilal të bëjë një tjetër ofertë zyrtare në drejtim të Napolit dhe nëse lojtari parimisht ka rënë dakord për të kaluar në Arabinë Saudite, atëherë gjasat që De Laurentiis t’i rezistojë shitjes së goleadorit të ekipit të tij janë të vogla.