Serie A, Napoli, Osimhen firmos rinovimin; ja klauzola e largimit

Sport

Pas Kvaratskhelia-s, është radha e Victor Osimhen të firmosë rinovimin e kontratës me Napolin. Presidenti i kampionëve të Italisë, Aurelio De Laurentiis e kishte deklaruar se rinovimi me yllin e skuadrës ishte prioritet në këtë verë dhe duket se palët kanë gjetur tashmë një marrëveshje. Edhe vetë vullneti i sulmuesit ka qenë të vijojë aventurën me Napolin dhe kontrata e re supozohet ta mbajë pjesë të kësaj skuadre të paktën deri në vitin 2026. Ndërkohë ndryshe nga sa ishte raportuar më herë gjatë kësaj vere, që shihnin një rritje të vogël të pagës, Osimhen tashmë do të përfitojë plot 10 milionë euro në sezon, që për një klub si Napoli janë një investim i rëndësishëm. Në këtë mënyrë, De Laurentiis tregon se sa shumë e vlerësojnë sulmuesin nigerian, i cili në sezonin e shkuar të ‘Serie A’, ia doli të udhëhiqte ekipin drejt titullit kampion me 26 gola e 5 asiste në 32 ndeshje të luajtura. Një detaj i rëndësishëm i rinovimit të 24-vjeçarit me Napolin është edhe klauzola e largimit të tij. Nga ajo që është zbuluar, nëse një skuadër kërkon të marrë shërbimet e Osimhen, nga vera e vitit të ardhshëm, pra që nga 2024-a, duhet të paguajë 150 milionë euro për kartonin e tij. Këtu, nuk përfshihen klubet italiane, që duke qenë se shihen si rivalë direktë të Napolit, por vetëm ato jashtë vendit. Nëse skuadra në ‘Serie A’ do të kërkojnë të gjejnë një marrëveshje për të, do të duhet të presin deri në 2025-ën, për të patur aktive klauzolën prej 150 milionë eurosh. Por në atë moment, Osimhen do të kishte vetëm 1 vit kontratë me Napolin dhe duket e vështirë që ndonjë skuadër italiane të paguajë një shifër të tillë për një lojtar që është në përfundim të kontratës. Për nigerianin janë ofruar gjithashtu edhe shumë bonuse, që kryesisht janë të lidhur me sukseset në kampionat e sidomos në ‘Champions League’, aty ku Napoli do të provojë edhe njëherë të shkojë sa më larg, tani me petkun e kampionit në fuqi të Italisë.