Dikur ishte një hero i tifozerisë dhe klubit, ndërsa tani është kthyer në një problem madhor. E ardhmja e Victor Osimhen duket qartë se është larg Napolit, aty ku tensionet mes lojtarit dhe presidentit De Laurentiis, shkatërruan një ‘binom’ që konsiderohej i rrezikshëm për çdo kundërshtar. Edhe pse i ka mbetur vetëm 1 vit kontratë si lojtar i të kaltërve, De Laurentiis nuk ka ndërmend të ulë pretendimet e tij financiare kundrejt skuadrave që kërkojnë kartonin e Osimhen. Tek Galatasaray janë përpjekur prej kohësh të sigurojnë marrëveshjen për transferimin e plotë të lojtarit, mirëpo atëherë kur gjërat po shkonin drejt konkretizimit, gjithçka është ndalur. Liverpool-i thuhet se është gati të përfitojë nga situata, pasi ‘the reds’ duhet të përforcohen në sulm, pas ndarjes tragjike nga jeta të Diogo Jota. Osimhen është padyshim profili i duhur për t’i dhënë trajnerit Slot më akoma më shumë cilësi dhe për të bindur Napolin, mund të përfshijnë në tratativa kartonin e Darwin Nunez. Sulmuesi uruguaian është përfolur prej kohësh si një objektiv i merkatos së kampionëve të Italisë, prandaj nuk përjashtohet mundësia e realizimit të një operacioni të tillë. Mes përfaqësuesve të klubeve ka patur vetëm biseda telefonike, për të kuptuar më mirë situatën, pasi ende nuk ka një propozim konkret. Liverpooli investoi rreth 85 milionë euro në vitin 2022 për të transferuar Nunez, që asokohe premtonte shumë. Mirëpo sulmuesi 26-vjeçar nuk i ka respektuar pritshmëritë, prandaj largimi i tij, edhe në një kosto shumë më të ulët se sa ajo e investuar për të, tani mund të pranohet lehtësisht nga drejteusit e Liverpool-it.
