Pasi hoqën dorë nga përpjekjet për të firmosur me Kylian Mbappe, drejtuesit e Al Hilal kanë vendosur Victor Osimhen si objektiv kryesor për sulmin e tyre. Oferta e parë e klubit saudit në drejtim të Napoli-t është refuzuar nga ana e presidentit Aurelio De Laurentiis, por tratativat mbeten aktive. Shumë shpejt mendohet se do të vijë një ofertë tjetër për kartonin e sulmuesit nigerian, që do të kalojë shifrën e 140 milionë eurove, pa llogaritur bonuset, ndërkohë që propozimi për vetë lojtarin duket i vështirë për t’u refuzuar. Osimhen i garantohet një kontratë e vlefshme deri në vitin 2026, nga ku do të përfitojë plot 60 milionë euro në sezon. Prej ditësh, agjenti i Osimhen gjendet në Napoli për të diskutuar rinovimin e kontratës së tij me kampionët e Italisë, me De Laurentiis që do të rrisë pagën e lojtarit kryesor të ekipit deri në 7 milionë euro në vit. Kjo shifër as nuk krahasohet me atë që mund të përfitojë Osimhen nëse transferohet tek Al Hilal, çfarë ka krijuar një situatë aspak të qetë rreth lojtarit. Edhe pse vetë 24-vjeçari ka qenë gjithnjë i hapur për një rinovim të kontratës së tij me Napoli-n, duket e pamundur që ai të hedh poshtë një shans të tillë të artë, për të fituar rreth 60 milionë euro në sezon, që në Itali, ai nuk mund t’i arkëtojë përgjatë gjithë karrierës së tij. Ndonëse për momentin nuk ka asgjë konkrete, presioni që Al Hilal po ushtron për të afruar sulmuesin është shumë i lartë. Nëse oferta e klubit saudit për kartonin e Osimhen do të rritet më tepër, atëherë është thuajse e sigurt që De Laurentiis do të lejojë largimin e tij, duke lënë më pas çdo gjë në dorë të lojtarit. Të paktën nga ajo që raportojnë mediat italiane, presidenti i kampionëve të Italisë do t’I thoshte ‘po’ një propozimi prej 160 milionë eurosh. Tek Napoli kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e yllit të skuadrës së tyre, teksa thuhet se kanë nisur lëvizjet për të gjetur zëvendësuesin e mundshëm të tij. Osimhen është kontaktuar nga agjenti i tij për t’u njohur me propozimin monstruoz të Al Hilal dhe një vendim final do të merret brenda 10 ditëve të para të muajit gusht.