Serie A, Napoli merr atë që kërkon për Osimhen; sulmuesi drejt Galatasaray

Sport

Victor Osimhen do të jetë një lojtar i Galatasaray-t. Skuadra turke ka arritur marrëveshjen me Napolin për transferimin e plotë të kartonit të sulmuesit nigerian, me kampionët e Italisë që shohin t’u shpërblehen këmbëngulja e vazhdueshme për të paguar aq sa kanë pretenduar që nga fillimi i merkatos për Osimhen. Në atë që konisderohet si një nga lëvizjet më me peshë të kësaj merkatoje verore, Galatasaray do të paguajë një total prej plot 80 milionë eurosh për të transferuar në Stamboll sulmuesin nigerian. Nga kjo shifër, Napoli do të arkëtojë menjëherë 40 milionë euro, ndërkohë që 35 milionë të tjera do të paguhen brenda një viti nga Galatasaray në dy këste të ndryshme. Ndërsa 5 milionë euro të tjera, janë përfshirë në marrëveshje në formën e bonuseve. Përpos këtyre shifrave, Napoli do të ketë edhe 10% të arkëtimeve në rast se Osimhen do të shitet në të ardhmen nga Galatasaray, që duket se ka pikërisht këtë objektiv. Ndërkohë, një klauzolë interesante që bie në sy në marrëveshjen mes klubeve, është fakti që kampionët e Turqisë nuk mund ta shesin kartonin e Osimhen tek një skuadër tjetër italiane në harkun e dy viteve, ose përndryshe do të duhet të paguajnë tek Napoli edhe 30 milionë euro të tjera. Një marrëveshje e shkëlqyer në pamje të parë për Napolin, që edhe pse kishte vetëm 1 vit kontratë të mbetur me Osimhen, ia del të përfitojë edhe më shumë se patën shpenzuar për transferimin e sulmuesit në 2020-ën. Lajmi për arritjen e marrëveshjes për Osimhen pritet të zyrtarizohet së shpejti, duke mbyllur një sagë të gjatë tensionesh e diskutimesh me klubit napoletan, me në krye presidentit De Laurentiis dhe lojtarit e përfaqësuesve të tij. Nga ana tjetër, Galatasaray shpreson të ketë nje tjetër sezon të mirë me Osimhen në krye të sulmit. Nëse rendimenti i nigerianit do të vijojë të jetë i njëjtë, drejtuesit e klubit turk shpresojnë që të shesin kartonin e tij tek një nga klubet e pasura të kontinentit, për të marrë mbrapsht investimin kolosal që po bëjnë aktualisht për 26-vjeçarin nigerian.