Serie A, Napoli; Merkato e kampionëve varet nga shitja e Osimhen; Sancho e Nunez objektiva

Sport

Tanimë me ‘petkun’ e kampionit në fuqi të Italisë, Napoli duhet të mendojë për një sezon shumë më të ngarkuar se sa ai që lamë pas, ku paraqitja në ‘Champions League’ kërkohet të jetë e nivelit të lartë, me synimin për të shkuar sa më larg. Drejtuesit e klubit janë të vetdijshëm që për këtë, nevojiten investime të rëndësishme gjatë merkatos së verës dhe përforcime që mund t’i vijnë në ndihmë trajnerit Conte. Ky i fundit, e kishte si një nga kërkesat e tij kryesore, garancinë për të thënë fjalën e tij sa i përket transferimeve, në mënyrë që të vijonte punën tek të kaltrit. Por shumë gjëra, për momentin mbetet të varuara tek e ardhmja e Victor Osimhen. Sulmuesi nigerian konsiderohet si ‘non-grata’ nga ana e presidentit De Laurentiis, për shkak të polemikave mes palëve gjatë verës së kaluar. Nigeriani luajti i huazuar tek Galatasaray, ku dhuroi paraqitje të shkëlqyera, ndërkohë që së fundmi, refuzoi mundësinë e kalimit në Arabi, tek Al-Hilal. Galatasaray mbetet i hapur për të blerë përfundimisht kartonin e Osimhen, për të cilin, një sondazh e ka bërë edhe Juventusi. Por në rastin e bardhezinjve, fillimisht duhet zgjidhur çështja e shitjes së Vlahovic, përpara se të mendohet për sulmuesin e ri.

Sa i përket Napolit, shumë gjëra në merkaton e kampionëve të Italisë varen pikërisht nga largimi i Osimhen. Mediat kanë zbuluar se Jadon Sancho dhe Darwin Nunez, shihen si objektiva të rëndësishëm për merkaton e verës. Sancho do të ishte zëvendësuesi i duhur i Kvaratskhelia-s në krahun e majtë, ndërkohë që uruguaiani Nunez, do të ishte një alternative me peshë për trajnerin Conte. Tekniku është i bindur se nën drejtimin e tij, të dy këto emra do të rigjejnë formën më të mirë. Por aktualisht, ka vetëm bisedime paraprake dhe jo hapa konkrete, pasi pa financat që do të sillte shitja e Osimhen, Napoli nuk mund të bëjë lëvizje të mëdha. De Laurentiis kërkon 75 milionë euro për kartonin e sulmuesit nigerian dhe numri 1 i Napolit është i bindur se një ofertë e tillë do të vijë deri në muajin gusht, por drejtuesit kërkojnë të nxitojnë, në mënyrë që të kompletojnë skuadrën e Conte-s sa më shpejt të jetë e mundur.