Romelu Lukaku luajti sërish një rol thelbësor në një tjetër titull të fituar nga trajneri Antonio Conte. Të bashkuar edhe njëherë tek Napoli, Lukaku bëri që mungesa e Osimhen të mos peshojë në sulmin e skuadrës, duke qenë protagonist tek ‘scudetto’ e sezonit të shkuar. Sulmuesi belg ka folur gjatë në një intervistë për “Gazetta dello Sport”, duke u rrëfyer jo vetëm për rikthimin në Itali dhe suksesin me Napolin, por edhe për Interin, aty ku lojtari, sërish nën drejtimin e Conte-s, pati një periudhë të suksesshme. 32-vjeçari u shpreh se ajo që i bashkon me Conte-n dhe më së shumti i shtyn të kenë sukses bashkë, është mentaliteti i njëjtë. Sipas sulmuesit, të dy kanë ide të ngjashme dhe e dinë shumë mirë se çfarë duhet për të fituar. Duke qenë shumë kërkues nga vetja, Lukaku mendon se i ka dhënë trajnerit të tij atë se çfarë ai kërkon më shumë nga ekipi dhe më pas, gjërat kanë rrjedhur natyrshëm. Po ashtu, ai theksoi besimin e vazhdueshëm që ka marrë nga trajneri i tij, edhe në momente të vështira, që padyshim kanë qenë thelbësore për vendimet që ka marrë, apo paraqitjet në fushën e lojës.
Gjatë intervistës, Lukaku ka vlerësuar punën e bërë nga klubi dhe shokët e tij të skuadrës, teksa sërish këmbënguli që objektivat do të jenë madhorë. Por sulmuesi belg gjeti rastin për të thënë edhe disa fjalë për Interin, aty ku nuk u pa më si një hero.
“Për qenë i sinqertë, për një vit, kam kaluar një periudhë të keqe. E keni parë si kanë shkuar gjërat. Nuk mund të thoja se çfarë mendoja. I lashë njerëzit të flisnin, sepse nuk jam nga ata që i pëlqen të krijojë polemika për mediat dhe të sulmojë. Preferoj të reagoj në mënyrë futbollistike.”
Fjalë të forta këto nga 32-vjeçari, që vetëm sa shton zërat për problemet në brendësi të klubit të Interit asokohe.