Serie A, Napoli këmbëngul për Raspadorin; bisedimet konfirmohen edhe nga Sassuolo

Sport

Sassuolo përfitoi të ardhura të rëndësishme kur finalizoi shitjen e Gianluca Scamacca tek skuadra e West Ham, që pagoi 36 milionë euro për kartonin e sulmuesit. Mirëpo klubi nga Emilia-Romagna vazhdon të punojë me merkaton në dalje, pasi ka ende oferta të rëndësishme për disa nga titullarët e tyre. Emri i radhës që me gjasa do të braktisë Sassuolo-n është Giacomo Raspadori. 22-vjeçari ka tërhequr jo pak vëmendje me paraqitjet e tij në sezonin që lamë pas, me 10 gola të shënuar e 6 asiste në 36 ndeshke. Raspadori ishte edhe lojtari më krijues i Sassuolo-s, pasi thuajse çdo aksion i rrezikshëm ndërtohej nga këmbët e tij.

Napoli është vënë prej kohësh në ndjekje të tij dhe lajmi është konfirmuar edhe nga drejtuesit e Sassuolo-s. Administratori i deleguar i klubit, Giovanni Carnevali ka konfirmuar se mes palëve prej kohësh kanë nisur tratativat për Raspadorin dhe gjasat janë që ai të vëshë fanellën e kaltër nga sezoni i ardhshëm, duke parë edhe vullnetin e napoletanëve. Tek Sassuolo, kartonin e 22-vjeçarit e vlerësojnë të paktën 35 milionë euro, ndërkohë që Napoli po përpiqet të ulë këtë shifër. Kjo nuk ka për të qenë e lehtë, pasi siç Carnevali zbuloi, për Raspadorin ka oferta të rëndësishme edhe nga jashtë Italisë. Vetë sulmuesi kërkon të mbetet në ‘Serie A’ dhe Napoli deri më tani do të ishte zgjedhja e parë për të, mirëpo gjërat mund të ndryshojnë nëse propozimet e tjera të ardhura në drejtim të tij do të bëhen edhe më serioze. Administratori i Sassuolo-s foli gjatë edhe për Domenico Berardi-n, që e cilësoi si kampionin e madh të skuadrës. Edhe për të, ofertat nuk mungojnë, por ndryshe nga rasti i Scamacca-s apo Raspadori-t, Sassuolo po përpiqet të rezistojë e të mbajë në skuadër Berardi-n. Largimi i tij nga Emilia-Romagna mund të ndodhë vetëm nëse plotësohen të gjitha kushtet e vendosura nga Sassuolo, që kartonin e 27-vjeçarit e vlerësojnë rreth 45 milionë euro.