Serie A, Napoli humbet De Bruyne për të paktën 3 muaj

Sport

Problemet me dëmtimet e lojtarëve nuk kanë të ndalur për të Napolin dhe trajnerin Antonio Conte. Ashtu siç ishte parashikuar, dëmtimi i Kevin De Bruyne nuk është aspak i lehtë për t’u rikuperuar dhe pas analizave të bëra nga stafi mjekësor i klubit, rezulton se belgu do të qëndrojë jashtë fushave për të paktën 3 muaj. Koha e rikuperimit të tij mund të shkojë deri në 4 muaj, por kjo do të vendoset në varësi të ecurisë së trajtimit që do të marrë lojtari. Pasi shënoi penalltinë që i dha avantazhin Napolit në takimin kundër Interit, 34-vjeçari ishte gati i përlotur për shkak të dhimbjeve që vinin nga muskujt e pjesës së pasme të kofshës. Për De Bruyne ishte madje shumë e vështirë për të hedhur edhe hapa të vegjël, teksa u pa më vonë të ndihmohej nga një patericë për ecjen. Kështu, De Bruyne i shtohet listës së gjatë të mungesave të rëndësishme të trajnerit Antonio Conte. Kevin De Bruyne ishte një titullar i padiskutuar deri në këtë pikë të sezonit për kampionët në fuqi, teksa në 8 javë, llogarit 4 gola nën emrin e tij. Me Lobotka-n që vijon të jetë i dëmtuar, te Napoli mund të rritet mundësia për të parë githmonë e më shumë në fushën e lojës, Elijf Elmas, si një element që mund të ndihmojë të dyja repartet e lojës. Për momentin, Conte nuk e mendon ndryshimin e skemës së vendosjes së skuadrës, por një gjë e tillë mund të ndodhë në javët në vazhdim, për të përshtatur skuadrën me elementët që tekniku do të ketë në dispozicion.