Edhe pse prej ditësh flitet se Napoli është në tratativa për të firmosur me Giacomo Raspadori-n, të kaltërit mendojnë të sjellin edhe një sulmues tjetër me peshë, pas largimeve të rëndësishme gjatë kësaj vere. Giovanni Simeone duket se do të firmosë një kontratë me napoletanët, lajm i konfirmuar ky jo vetëm nga mediat italiane, por edhe nga burime të afërta me sulmuesin argjentinas. Napoli dhe Verona kanë arritur një marrëveshje që Simeone të transferohet në formë huazimi me të drejtë blerjeje, që do të kthehet në detyrim, në rast se do të përmbushen disa kushte të parashikuara në akordin mes palëve. Vetëm për huazimin, Napoli do t’i paguajë Veronës të paktën 3 milionë euro, ndërsa në rast të blerjes përfundimtare të kartonit të Simeone-s, do të duhet të shtojnë edhe 12 milionë euro të tjera. Sulmuesi argjentinas do të firmosë kontratë 1-vjeçare për huazimin dhe në rast se të kaltërit do të shfrytëzojnë mundësinë e blerjes së kartonit të 27-vjeçarit, atëherë për të do të ketë automatikisht një kontratë për 3 sezone. Tani pritet vetëm ‘drita jeshile’ nga presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis për ta finalizuar zyrtarisht këtë tratativë, me trajnerin Spalletti që do të ketë në dispozicion një tjetër sulmues me peshë, ndonëse si zëvendësues e Victor Osimhen. Me afrimin e Simeone-s, duket i sigurt edhe kalimi i Andrea Petagna-s tek Monza. Prej kohësh palët kanë gjetur një akord mes tyre, por Napoli ka bllokuar largimin e shtatlartin për të fituar kohë për gjetjen e zëvendësuesit të tij. Petagna do të kalojë tek Monza në formë huazimi, që do t’i kushtojë ekipit të sapongjitur në ‘Serie A’, 2,5 milionë euro. Në rast se Monza do të sigurojë mbijetesën, atëherë Berlusconi e Galliani do të jenë të detyruar ta blejnë përfundimisht kartonin e sulmuesit për 10 milionë euro, pa llogaritur këtu bonuset. Duket i kryer edhe transferimi i Fabian Ruiz drejt PSG. Mesfushori spanjoll ka hyrë në vitin e fundit të kontratës me Napolin dhe ka refuzuar rinovimin, prandaj largimi i tij gjatë kësaj vere ishte një lëvizje e parashikuar. Vetë lojtari ka gjetur një marrëveshje finale me drejtuesit e PSG, që vijojnë tratativat me Napolin rreth vlerës që do të paguhet për kartonin e 26-vjeçarit.