Ndonëse e shpallur zyrtarisht kampione e Serie A, për herë të 3-të në historinë e klubit, Napoli nuk lëshon terren as në javën e 34. Përpara publikut të kaltër, që e kishte ndezur në flakë stadiumin Diego Armando Maradona, duke I bërë një pritje madhështore skuadrës, Napoli fitoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Fiorentinës.
Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Victor Osimhen në minutën e 74, me lojtarin në fjalë, që më herët humbi një penallti, vetëm 180 sekonda pas rikthimit në fushën e lojës. Ky ishte finalizimi I 23-të sezonal I Osimhen në Serie A, duke kryesuar kësisoj listën e shënuesve më të mirë të kampionatit. Më I afërti që e ndjek nga pas, është Lautaro Martinez I Interit, me 19 gola.
Më tej, ky ishte goli I 47 I Osimhen në Serie A, që prej momentit kur është bërë pjesë e Napolit 3 edicione më parë. Me këto shifra, nigeriani është bërë lojtari afrikan me më shumë gola në histori të shënuar në elitën e futbollit italian, duke parakaluar edhe George Weah, që ishte ndalur në kuotën e 46 finalizimeve.
Me festën e titullit kampion që kishte nisur përpara ndeshjes, pas përfundimit të saj, Napoli, bashkë me tifozët, e vazhduan spektaklin. Megjithatë, lajmet e mira për skuadrën e kaltër nuk pritet të mbyllen me kaq. Trajneri Luçiano Spalletti është në muajt e fundit të marrëveshjes së tij me klubin jugor, mirëpo me këtë arritje historike, duket mëse e mundshme që 64 vjeçari të rinovojë.