Tashmë është zyrtare, edhe matematikisht. Napoli është kampion i Italisë për të tretën herë në historinë e klubit dhe për këtë ka mjaftuar një barazim 1-1 në Udine, me golin e Victor Osimhen që këtë herë ka patur një peshë të jashtëzakonshme. Pas 33 vitesh pritje, ata të Napolit janë sërish në majën e futbollit italian dhe e kanë realizuar këtë duke thyer një sërë rekordesh, me një skuadër që ka bërë për vete tifozë nga i gjithë kontinenti. Ajo që nisi si një ëndërr e pamundur për t’u prekur, tashmë është realitet, falë trajnerit Spalletti, Osimhen, Kvaratskhelia, Rrahmani e të gjithë lojtarëve të tjerë, që përgjatë sezonit kanë qenë thuajse perfektë. Me golin e realizuar ndaj Udinese-s, Osimhen ka arritur kuotën e 46 golave në karrierë në ‘Serie A’, duke barazuar legjendën George Weah si afrikani me më shumë realizime në elitën e futbollit italian. 29 prilli i 1990 ishte data e titullit të fundit kampion për Napoli-n; plot 33 vite në distancë. Vetëm Romës i është dashur të presë më shumë për të shijuar një tjetër titull, 41 vite, teksa herën e fundit që qyteti napoletan festonte si këto ditë, ka qenë kur skuadra udhëhiqej nga ai që konsiderohet si ‘Zot’ në qytetit jugor, Diego Armando Maradona. Në moshën 64-vjeçare, Luciano Spalletti bëhet edhe trajneri më i vjetër që ka fituar ‘Scudetto’-n, teksa Napoli i tij shpallet kampion 5 javë përpara fundit të kampionatit, duke barazuar në këtë rekord skuadra si Juventus apo Inter.