Napoli është shumë pranë titullit kampion, teksa udhëheq renditjen e ‘Serie A’ vetëm 3 javë nga fundi. Teksa të gjithë janë në pritje të verdiktit final të sezonit, drejtuesit e klubit kanë nisur punën edhe për sezonin e ardhshëm, ku veç kampionatit, do të duhet të mendojnë edhe për rrugëtimin që do të kenë në ‘Champions League’. Një nga emrat që shihet si përforcim i mundshëm, është edhe ai i belgut, Kevin De Bryune. Një transferim i mesfushorit në Napoli, do të shihej si një lëvizje sensacionale, pasi deri pak ditë më parë, askush nuk e mendonte një skenar të tillë. Mirëpo nga ajo që raportojnë mediat italiane, emri i De Bryune nuk është thjesht një ide, por një plan konkret i drejtuesve për të siguruar shërbimet e një prej lojtarëve më të mirë në botë në rolin e tij. Edhe pse tashmë 33-vjeçar, De Bryune vijon të shfaqë nivel të lartë, duke qenë shumë i rëndësishëm për Manchester City e Pep Guardiolas. Duke parë kushtet në të cilat luan dhe pagën që merr, shumë mund të mendojnë që afrimi i tij tek Napoli është një mision thuajse i pamundur. Por mesfushorit belg i skadon kontrata në fundin e këtij sezonin me skuadrën angleze dhe deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim për një rinovim të marrëveshjes. Napoli ndoshta nuk mund të ofrojë të njëjtën pagë, por ka gati një rol prej lideri për De Bryune, ndërkohë që për ta bindur të transferohet në Itali, ka ndërhyrë edhe Romelu Lukaku. Raportimet pranë Napolit konfirmojnë se sulmuesi i të kaltërve ka bisedime të vazhdueshme me De Bryune, me të cilin luajnë tek kombëtarja e Belgjikës. Lukaku po provon të bindë bashkëkombasin e tij të mendoj kalimin në Napoli, megjithatë, nëse Manchester City do të ofrojë një kontratë të re, me kushtet e kërkuara nga De Bryune, atëherë një skenar i tillë duke i vështirë për t’u realizuar.
