Serie A, Napoli drejt rinovimit me Politano-n; Ndoye dhe Beukema objektiva të merkatos

Sport

Matteo Politano do të vijojë të jetë pjesë e Napolit. Edhe pse për anësorin italian thuhet se ka patur një interesim nga disa skuadra, tek Napoli janë të vendosur për ta mbajtur pjesë të ekipit, si një nga kërkesat e trajnerit Conte. I konsideruar si një nga lojtarët e besuar të teknikut, Politano tashmë jo vetëm që do të vijojë rrugëtimin e tij me Napolin, por thuhet se do t’i ofrohet edhe një rinovim i kontratës. Mediat italiane kanë zbuluar se përfaqësuesit e lojtarit dhe drejtuesit e klubit po punojnë për të shtyrë bashkëpunimin deri në vitin 2028, teksa për 31-vjeçarin do të ketë edhe një rritje të pagës.

E ndërsa për arritjen e këtij akordi nuk duket të ketë patur pengesa, ndryshe ndodh me objektivat e rinj të merkatos së kampionëve të Italisë. Napoli kërkon të përforcohet duke afruar dy emra të rëndësishëm nga Bologna, Dan Ndoye dhe Sam Beukema, por për të realizuar këtë operacion, do të duhen disa sakrifica. Si Ndoye, edhe Beukema, janë lojtarët të rëndësishëm të formacionit të kuqebluve, prandaj arritja e një marrëveshjeje të tillë nuk do të jetë një mision i lehtë. Ndoye shihet si lojtari që mund të marrë çelësat e krahut të majtë të sulmit, që ende nuk ka gjetur pasuesin e denjë të Kvicha Kvaratskhelia-s. Ndërkohë Beukema do të ishet një garanci për mbrojtjen, duke i dhënë jo vetëm alternativa trajnerit Conte, por duke bërë edhe një investim të rëndësishëm për të ardhmen. Në diskutimet paraprake mes klubeve ekzistojnë disa diferenca mes ofertës dhe kërkesës: 10 milionë euro është ajo mes propozimit të Napolit për kartonin e Ndoye dhe pretendimeve të Bologna-s, dhe 5 milionë për rastin Beukema. Në total, flitet për një operacion që do t’i kalojë 50 milionë eurot, me Napolin që mund të përfshijë në tratativa kartonin e Giacomo Raspadori-t. Tek Bologna, profili i Raspadori-t pëlqehet si nga trajnerin Italiano, edhe nga drejtuesit e lartë të klubit, por Napoli pretendon të paktën 25 milionë euro për kartonin e tij. Për momentin, ‘karta’ Raspadori nuk është përfshirë në tratativat për Ndoye e Beukema, por një skenar i tillë nuk përjashtohet.