Tashmë me petkun e kampionëve në fuqi të Italisë, ata të Napolit e dinë se pritshmëritë ndaj tyre në sezonin e ardhshëm do të jetë të larta. Largimi i trajnerit që i udhëhoqi drejt ‘Scudetto’-s, Luciano Spalletti, bëri që entuziasmi për titullin të ulej, ndërkohë që presidenti Aurelio De Laurentiis ka prezantuar trajnerin e ri të ekipit, Rudy Garcia-n. Numri 1 i kampionëve të Italisë thotë se zgjedhja e Garcia-s në krye të stolit ishte lëvizja më e mirë që mund të bëhej në këto momente për vendin e lënë bosh nga Spalletti, duke u mbështetur tek eksperienca e teknikut francez, që hoqi dorë nga milionat në Arabinë Saudite, ku drejtonte Al Nassr, për të patur një tjetër mundësi në elitën e futbollit europian. Sipas De Laurentiis, për të firmosur me Garcia-n, bashkë me stafin e tij, ai ka analizuar gjithçka; nga stili i lojës, që i përshtatet asaj aktuales të Napoli-t, deri tek qasja në merkato. Megjithatë, presidenti i të kaltërve e mohoi t’i ketë garantuar trajnerit të ri qëndrimin e Victor Osimhen. De Laurentiis e pranoi se klubi do të bëjë gjithçka për të patur sulmuesin nigerian si lider të skuadrës edhe sezonin tjetër, por nëse në drejtim të tij do të vijë një ofertë e rëndësishme, atëherë padyshim që do të merren në konsideratë të gjithë skenarët e mundshëm. Sa i përket objektivave, De Laurentiis dhe Garcia ishin në një linjë, duke thënë se do të përpiqen të fitojnë sa më shumë trofe, duke nisur nga mbrojtja e titullit kampion në Itali. Ndërsa në ‘Champions League’, të gjithë presin që Napoli të bëjë edhe më mirë se sa vitin e shkuar, pasi ekipi ka mësuar shumë nga rrugëtimi i bërë përgjatë 2022/2023-shit. Në fund, De Laurentiis e mbylli duke iu përgjigjur pyetjeve rreth merkatos së verës. Ai u shpreh se zgjedhja e trajnerit në një kohë kaq të shkurtër ka të bëjë më faktin që Garcia të ketë kohë të punojë me drejtuesit e tjerë rreth afrimeve të mundshme, në mënyrë që të ketë një skuadër të kompletuar. Megjithatë, tek Napoli nuk pritet të ketë goditje të mëdhaja, të paktën jo nëse nuk largohen emra si Osimhen apo Kvaratskhelia.