Nuk kanë të ndaluar problemet e Napolit me dëmtimet. Listës së gjatë e të rëndësishme të lojtarëve që kanë pësuar lëndime serioze pas 11 javësh të kampionatit, i shtohet një tjetër emër me peshë për teknikun Antonio Conte. Franck Zambo Anguissa ka pësuar një dëmtim në grumbullimin me përfaqësuesen e Kamerunit. Në një nga seancat stërvitore me kombëtaren e vendit të tij, Anguissa ka shfaqur probleme muskulore, që e kanë bërë të pamundur për mesfushorin vijimin e stërvitjes. Ndërkohë ende priten analizat e detajuara të gjendjes së Anguissa, është e qartë se ai do të humbasë përballjen kundër Republikës Demokratike të Kongos. Por ajo se çfarë e shqetëson Napolin dhe trajnerin Conte, është se ky problem i Anguissa, edhe nëse për momentin nuk do të raportohet si serioz, mund të jetë një paralajmërim për të mos pësuar diçka të ngjashme si Kevin De Bruyne. Veç belgut, prej kohësh në listën e të dëmtuave qëndrojnë edhe emra si Romelu Lukaku, Leonardo Spinazzola, Alex Meret apo Billy Gilmour. Deri më tani, Anguissa ka qenë një nga pikat kyçe të formacionit të kampionëve të Italisë. 29-vjeçari i ka luajtur të gjitha ndeshjet mes ‘Serie A’ dhe ‘Champions League’-ës, duke qenë protagonist edhe me 4 gola e 2 asiste. Mungesa e tij në mesfushën e Napolit do të sillte telashe jo të vogla për trajnerin Conte, por italianët shpresojnë se lëndimi i pësuar nga shtatlarti, nuk është aq serioz. Anguissa është pjesë e Napolit që nga vera e vitt 2021, ku lojtari u transferua nga anglezët e Fulham, për rreth 17,3 milionë euro.