Monza kërkon të bëhet surpriza e madhe e sezonit të ri në ‘Serie A’ dhe këtë e tregon merkatoja e klubit që drejtohet nga dyshja e famshme, Silvio Berlusconi e Adriano Galliani. Ky i fundit ka siguruar disa transferime të rëndësishme, si Alessio Cragno dhe Andrea Carboni nga Cagliari, Ranocchia e Stefano Sensi nga Inter apo edhe Matteo Pessina nga Atalanta. Ndërkohë ka ardhur edhe goditja e parë e rëndësishme në sulm, ku është arritur firma me Gianluca Caprari. 28-vjeçari, i cili sezonin e shkuar aktivizohej në radhët e Veronës, transferohet në formë huazimi tek Monza, por këta të fundit janë të detyruar ta blejnë kartonin e tij në rast të plotësimit të disa kushteve, ku thuhet se përfshihem prezencat e lojtarit në fushën e blertë, arritja e objektivave të klubit, sa i përket minimumit të pikëve deri në fund të sezonit, si dhe shifrat personale të Caprari-t. Gjatë 2021/2022-shit, Caprari shënoi 12 gola e shërbeu 7 asiste në 35 ndeshje të zhvilluara në kampionat, duke qenë edhe lojtari që krijonte më shumë rast flagrante për shënim tek Verona. Por 28-vjeçari nuk duket të jetë e vetmja goditje e madhe në sulm për Monza-n. Mediat italiane zbulojnë se bisedimet për Andrea Petagna-n të Napolit janë në faza shumë të avancuara. Madje flitet se mes palëve të përfshira është arritur një akord fillestar, por për momentin të gjithë janë në pritje që drejtuesit e Napolit të afrojnë fillimisht njeriun që do të zëvendësojë Petagna-n në sulm, ku flitet shumë për Giavanni Simeone-n. Në atë që do të jetë prezenca e parë e Monza-s në elitën e futbollit italian, Berlusconi e Galliani po kujdesen që çdo gjë të shkojë në mënyrën e duhur dhe në fakt merkatoja deri më tani u jep të drejtë të kenë pritshmëri të mëdha. Duke marrë parasysh objektivat kryesorë të sezonit për skuadrën bardhekuqe, merkatoja e Galliani-t meriton deri më tani notën 10.