Ka zgjatur vetëm 6 javë aventura e Giovanni Stroppa me Monzan në Serie A. Presidenti i klubit, Silvio Berlusconi, i pakënaqur me lojën, por mbi të gjitha me rezultatet, ka vendosur ta shkarkojë nga detyra teknikun në fjalë.
Në 6 ndeshje, Stroppa, arriti të merrte vetëm 1 pikë, atë ndaj Leçes në javën e fundit, ndërsa në 5 të parat regjistroi po kaq humbje. Ndonëse gjatë ditëve të fundit, mesazhi i Berlusconit ishte që loja e skuadrës duhej përmirësuar, kjo nuk mjaftoi. Numri një i klubit debutues në Serie A vendosi të merrte vendimin drastik.
Pas largimit të 54 vjeçarit, vendin e tij e ka marrë Raffaele Palladino. 38 vjeçari vjen nga eksperienca si trajner i skuadrës së moshave po tek Monza, ndërsa si lojtar ka eksperiencë me epike të ndryshme. Kulmin e karrierës së tij e pati për disa vite me Juventusin. Madje, në mënyrë tepër ironike, tashmë si trajner i Monzas, ndeshja e tij e parë do jetë pikërisht ndaj Juventusit në shtëpi.
Ndërkohë, mbetemi në Serie A, teksa ndryshim ka ndodhur edhe në pankinën e Bolognas. Pas largimit të Sinisa Mihajloviç, vendin e tij e ka zënë Thiago Motta, me timonierin e ri që ka nisur menjëherë nga puna. Ish-mesfushori ka nënshkruar kontratë 2 vjeçare, ndërsa do debutojë në shëtpi ndaj skuadrës së Empolit.