Serie A, Monza e Berlusconi-t në elitën e futbollit italian; mposhtën Pisa-n në kohën shtesë

Sport

Silvio Berlusconi dhe Adriano Galliani do të jetë sërish pjesë e ‘Serie A’, duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Skuadra e drejtuar prej dyshes së famshme që udhëhoqi Milani për disa dekada, Monza, ia ka dalë mbanë të fitojë finalen e fazës ‘play-off’ të ‘Serie B’ ndaj Pisa-s, duke siguruar ngjitjen në elitën e futbollit italian. Takimi i parë ishte mbyllur në favor të Monza-s me rezultatin 2-1 dhe gjërat për ‘të kuqtë’ dukeshin mjaft mirë edhe në sfidën e dytë, ku ishin në barazim 2-2, çfarë u siguronte kalimin më tej. Por një gol i Giuseppe Mastinu riktheu shpresën për Pisa-n, duke çuar takimin në kohën shtesë.

Gjërat gjithësesi do të rimerreshin nën kontroll nga lojtarët e Monza-s, që nën udhëheqjen e trajnerit Giovanni Stroppa, ia dolën të shënonin edhe dy herë të tjera në portën e kundërshtarëve. Fillimisht ishte Luca Marrone që goditi saktë me kokë në minutën e 96, ndërkohë që 5 minuta më pas, do vinte edhe goli që vulosi gjithçka, nga danezi Christian Gytkjaer. Një ëndërr 110 vjeçare për tifozët e Monza-s, që tashmë është kthyer në realitet, vetëm pak vite pas Berlusconi dhe Galliani morën nën kontroll skuadrën. Nga sezoni i ardhshëm. Monza do të luajë në ‘Serie A’, për herë të parë në historinë e klubit që nisi të ekzistojë në 1 shtator të vitit 1912. Më herët, falë renditjes në dy vendet e para të kampionatit në ‘Serie B’, kanë siguruar ngjitjen në elitën e futbollit italian edhe Lecce e Cremonese.