Milinkovic-Savic ishte emri më i lakuar i merkatos së verës dhe jo vetëm që nuk lëvizi nga Lazio, por ja që tashmë mund të ripërtërijë edhe kontratën. Mateja Kezman, ish-sulmuesi i njohur i shumë klubeve të Evropës, është agjenti i tij dhe ka thënë fjalën e fundit se shtatlarti serb nuk do të largohet nga qyteti i Romës. Sipas Kezmanit, për Sergei Milnikovic-Savic u spekulua jashtë mase këtë verë dhe asgjë e thënë nëpër gazeta nuk ishte e vërtetë. Në fakt që gjatë botërorit, zëra për një interesim të Manchester United ndezën mjaft raportimet se një mori klubesh po kërkonin shërbimet e 23-vjecarit.
Shtatlarti madje u tha se po kërkohej edhe nga Juventusi dhe fillë kërkesat nga Lazio nisën të ishin të larta. 100, 120, 130 deri në 140 milionë euro. Në ditët e fundit të merkatos u fol madje edhe për bisedime mes Lazios dhe PSG, por që sipas Kezmanit asgjë s’ishte e vërtetë. Shtatlarti i Lazios ka një kontratë deri në vitin 2022, por pavarësisht kësaj, interesimet duket se kanë bërë punën e vetë. 23-vjecari mund të përfitojë një rishikim kontrate dhe nëse e pranon ta zgjasë edhe me një vit, do të mund të përfitojë një dyfishim page nga 1.5 në 3 milionë euro. Aktualisht ka pasur kontakte mes Kezmanit dhe Tares, ndërsa në Itali spekulohet se kjo lëvizje është thjesht për të vendosur klauzola.