Sergej Milinkovic-Savic mbetet një nga lojtarët më të përfolur të merkatos së futbollit në Itali. Mesfushori i Lazio-s vijon të bëjë paraqitje shumë të mira me fanellën e kaltër, duke bërë liderin për trajnerin Sarri e duke provuar se është gati për të luajtur edhe në nivele më të larta. 27-vjeçari numëron 10 gola e 11 asiste në 35 ndeshje të luajtura në ‘Serie A’ gjatë këtij sezoni, statistika këto që e kanë futur në listën e dëshirave të disa skuadrave të mëdha.
Klube si Manchester United, Liverpool apo Milan e Inter e kanë ndjekur me kohë situatën e Milinkovic-Savic, por kanë hezituar të bëjnë hapa përpara për shkak të pretendimeve të larta të Lazio-s. Së fundmi është Juventus-i që po këmbëngul për të firmosur me shtatlartin serb, që shihet si zgjidhja e shumë telasheve në mesfushën e trajnerin Allegri. Bardhezinjtë thuhet se kanë patur disa kontakte në mënyrë private me përfaqësues të Milinkovic-Savic, teksa po përgatisin edhe një ofertë fillestare për Lazio-n. Megjithatë, për të bindur presidentin e skuadrës kryeqytetase, Claudio Lotito, nuk është asnjëherë një mision i lehtë.
Lotito është shprehur se klubi i tij nuk ka në plane që të shesë dikë si Milinkovic-Savic, që është një lojtar me shumë peshë për formacionin lacial. Presidenti i të kaltërve shtoi se ai ka raporte shumë të mira me mesfushorin serb dhe janë të kënaqur me punën e të dyja palëve. Në rast se Juventus-i do të vijë me një ofertë të konsiderueshme për Savic, atëherë Lotito thotë se do ta bisedojë me lojtarin e tij, edhe pse nuk ka asnjë dëshirë për ta larguar.
Gjithësesi, për të distancuar Juventus-in nga ylli i ekpit, Lotito thotë se se më herët, për 27-vjeçarin ka refuzuar një ofertë që kapte shifrat e 140 milionë eurove. Agnelli dhe drejtuesit e tjerë të klubit torinez nuk kanë ndërmend të bëjnë një ofertë të ngjashme, prandaj kalimi i Milikonvic-Savic në ‘Juventus Stadium’ për momentin është një mision thuajse i pamundur.