Largimi i Franck Kessie në fund të sezonit të shkuar ende ka lënë hapësira në mesfushën e Milanit, që nuk ia doli të arrinte tek objektiva si Renato Sanches, i cili në fund vendosi të transferohej tek PSG. Drejtuesit e kuqezinjve vijojnë fushatën e rinovimeve në skuadër, ku pas Fikayo Tomori-t, do të jetë radha e Pierre Kalulu për të firmosur.
Ndërkohë një lajm jo i mirë konfirmohet nga Anglia, pasi thuhet se Ismael Bennacer ka refuzuar propozimin e ri që i kanë bërë drejtuesit e kampionëve të Italisë. Aktualisht, mesfushori algjerian fiton 1,7 milionë euro në sezon, ndërkohë që oferta e re që kanë marrë Bennacer dhe agjenti i tij, shkon në një pagë deri në 3 milionë euro në vit. Ky propozim është hedhur poshtë nga agjenti i algjerianit, i cili mendon se klienti i tij duhet të paguhet më shumë, e për më tepër t’i garantohet edhe një rol thelbësor në projektin e ekipit. Pavarësisht refuzimit të ofertës së bërë nga Milani, Bennacer është optimist në gjetjen e një akordi, prandaj bisedimet do të vijojnë. 24-vjeçari ka edhe dy vite kontratë me klubin kuqezi, çfarë u jep kohë Maldinit e Massara-s për të zgjidhur edhe këtë çështje. Ndërkohë në Angli raportojnë se Liverpool-i interesohet prej kohësh për shërbimet e Bennacer.
‘The reds’ janë të gatshëm të plotësojnë të gjitha kërkesat e lojtarit sa i përket pagës, por në fund, do të jetë vetë dëshira e lojtarit që do të vendosë njëherë e mirë nëse do të vijojë karrierën e tij tek Milani, apo do ta zhvendosë diku tjetër. Bennacer u bë pjesë e kuqezinjve në verën e vitit 2019, kur kuqezinjtë shpenzuan më shumë se 17 milionë euro për të marrë kartonin e tij nga Empoli.