Serie A, Milani mund të rinovojë kontratën me Olivier Giroud

Sport

Milani është i kënaqur nga puna e Olivier Giroud. Në sezonin që lamë pas, sulmuesi i qendrës shënoi 14 gola në të gjitha kompeticionet. 11 prej tyre erdhën vetëm në Serinë A. Në fakt, ishin gola me peshë, duke e nxjerrë skuadrën jo pak herë nga situata të vështira. Në fund, nuk mund të mohohet dot që francezi luajti një rol thelbësor në suksesin e Milanit tek titulli kampion.

Në këto rrethana, sikurse raportojnë mediat italiane, klubi kuqezi po mendon t’i ofrojë lojtarit një rinovim të kontratës. Ndonëse marrëveshja aktuale skadon në fund të sezonit të ardhshëm, drejtuesit e 19 herë kampionëve të Italisë po e marrin në konsideratë që Giroud të rinovojë të paktën edhe për një sezon. Madje, në lidhje me këtë çështje kanë bërë hapa konkretë dhe janë në bisedime me agjentin e futbollistit.

Përtej faktit që 35 vjeçari mund ta meritojë plotësisht rinovimin, drejtuesit e Milanit e kanë të qartë planin e tyre. Gjithmonë, duke u bazuar këtu nga raportimet që vijnë nga përtej Adriatikut, në rast rinovimi të kontratës, atëherë Milanit i lind mundësia që ta shesë sulmuesin në fund të sezonit të ardhshëm. Me fjalë të tjera, se kampionët e Italisë nuk do e lejojnë lojtarin të largohet me parametra zero nga San Siro. Kuqezinjtë i siguruan shërbimet e tij për vetëm 1 mln euro nga Chelsea përpara një viti, ndërsa kartoni i Giroud në tregun e merkatos, momentalisht nuk vlerësohet më tepër sesa 3.5 mln euro.