Një nga problemet e mëdha të Milanit të Paulo Fonseca-s në këtë sezon ka qenë pësimi i vazhdueshëm i golave. Në ‘Serie A’, kuqezinjtë kanë pësuar 14 gola në 11 ndeshje të luajtura, teksa sfida në Sardenjë ndaj Cagliari-t, zbuloi më së miri pikat e dobëta të Milanit të prapavijë. Por rikthimi i futbollistëve nga angazhimet me përfaqësueset e tyre, vjen edhe me një lajm të mirë për trajnerin Fonseca. Matteo Gabbia është gati të bëjë rikthimin e tij në fushën e blertë, pasi tashmë e ka lënë pas dëmtimin që e bëri qendërmbrojtësin të mungonte që nga java e 7 e kampionatit. 25-vjeçari mendohet të jetë sërish titullar në prapavijën e Milanit, pasi Fonseca ka gjetur me shumë siguri e vazhdimësi tek Gabbia, se sa tek emrat e tjerë. Në 7 ndeshje mes ‘Serie A’ dhe ‘Champions League’-ës, ku Gabbia ka qenë në fushë për Milanin, kuqezinjtë kanë fituar 4 ndeshje dhe kanë humbur 3, dy prej të cilave në elitën e futbollit të kontinentit. Një mesatare prej 1,71 pikësh për ndeshje, teksa skuadra pësonte vetëm 7 gola. Ndërkohë, nëse do të përqëndrohemi vetëm tek kampionati, me Gabbia-n, Milani regjistron 3 fitore dhe 1 barazim, me një mesatare prej 2,25 pikësh për ndeshje, ku kanë shënuar 9 gola e kanë pësuar 3. Ndërsa pa 25-vjeçarin në formacion, kuqezinjtë kanë siguruar vetëm 2 fitore në 7 ndeshje, me 7 gola të pësuar. Njeriu që vulosi derbin e parë të Madoninës në këtë sezon, është kthyer edhe në një nga të preferuarit e tifozerisë së Milanit, teksa edhe vetë Fonseca, me gjasa do t’i besojë minuta të rëndësishme në takimin e radhës ndaj Juventusit. Sigurisht që rikthimi i Matteo Gabbia-s nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet e mbrojtjes së kuqezinjve, por me të në fushë, tek Milani dinë të performojnë më mirë.