Serie A, Milan, Zaniolo drejt kuqezinjve; Maldini kërkon akordin deri të hënën

Sport

Nicolo Zaniolo është një objektiv serioz i merkatos së Milanit. Kuqezinjtë duken të vendosur për të transferuar në skuadër yllin e Romës, i cili ka kërkuar largimin nga kryeqyteti italian, pasi e ka bërë të qartë se nuk do të ketë asnjë rinovim të kontratës nga ana e tij. Duke iu referuar mediave italiane, duket se tratativat po ecin më mirë se sa mendohej dhe në fakt, bisdeimet janë intensifikuar për ta bërë realitet një lëvizje të tillë. Milani është gati të ofrojë 2 milionë euro për huazimin e Zaniolos, me detyrim blerje në fund të sezonit për 23 milionë euro. Tek Roma duket se po i ulin pretendimet e tyre, duke parë edhe dëshirën e vetë lojtarit. Ndërkohë tek Milani, Maldini e Ibrahimovic kanë patur një takim, ku është diskutuar rreth të vetmit dyshim që kuqezinjtë kanë tek Zaniolo, karakteri i tij. Në fushën e blertë, 23-vjeçari shfaqet shpesh mjaft gjaknxehtë dhe kokëfortë, por mesa duket, Maldini është i gatshëm të marrë përsiper rreziqet. Vetë lojtari është i intriguar nga kjo lëvizje, pasi do të ketë mundësi të luajë në ‘Champions League’ dhe për më tepër, do të vijojë të qëndrojë në Itali. Për këtë arsye, Zaniolo zgjedh Milanin përpara Tottenham, që po ashtu vijon të shfaqë interes për shërbimet e tij. Megjithatë, për të konkretizuar gjithçka, duhet që Milani dhe Roma të gjejnë përfundimisht gjuhën e përbashkët dhe maksimumi që Maldini mund të ofrojë më shumë se sa oferta fillestare, është përfshirja e disa bonuseve në blerjen finale të kartonit në fund të sezonit.