Serie A, Milan vijon të shqyrtojë emrat për trajnerin; në listë edhe Gasperini e Sarri

Sport

Pavarësisht se si do të shkojë mbyllja e këtij sezoni për Milanin, e ardhmja e trajnerit Sergio Conceicao tek kuqezinjtë nuk është aspak e sigurtë. Madje, mediat italiane e shohin më të mundshëm skenarin që drejtuesit të ndërpresin bashkëpunimin me teknikun portugez, për të nisur një projekt nga e para, me një trajner të ri në krye të skuadrs. Teksa çështja e drejtorit sportiv mbetet ende e hapur, me Igli Taren dhe D’Amico-n si më të përfolurit, edhe zgjedhja e trajnerit të ri, duhet të bëhet përpara muajit qershor. Prej kohësh është përfolur për Max Allegri-n apo Antonio Conte-n, duke qenë se gëzojnë edhe simaptinë e pranuar zyrtarisht të Igli Tares. Në të dyja rastet, Milani do të duhet të shpenzonte jo pak për pagën e trajnerit dhe për këtë arsye, edhe mundësitë e tjera vijojnë të merren në konsideratë. Së fundmi, është rikthyer të përflitet emri i Maurizio Sarri-t, i cili u mendua të ishte në krye të kuqezinjve edhe përpara zgjedhjes së Paulo Fonseca-s, përpara fillimit të sezonit aktual. Ndërsa emri surprizë është ai i Gian Piero Gasperini-t, që në fund të majit do të ndërpresë bashkëpunimin prej thuajse një dekade me Atalantën. Gasperini ka fituar shumë pikë me atë se çfarë ka realizuar deri më sot me skuadrën bergamaske, por shumë nuk janë dakord për ta parë në krye të Milanit. Një tjetër emër që intrigon, është edhe ai i Roberto Mancini-t. Një rithim i bujshëm në Itali do të ishte i mirëpitur nga ish-interisti, por gjithësesi, përpos një page të konsiderueshme, thuhet se Mancini kërkon të ketë në dispozicion edhe një buxhet të mirë për merkaton.

Drejtuesit e Milanit janë ende duke shqyrtuar të gjitha mundësitë, ku qëndrimi i Conceicao nuk përjashtohet për momentin. Gjithësesi, shumë gjëra do të qartësohen vetëm pas përzgjedhjes së drejtorit të ri sportiv, që do të ketë një rol kyç në projektin e kuqezinjve.