Serie A, Milan vijon merkaton; kuqezinjtë këmbëngulin për Brojën, por Chelsea nuk e lëshon

Sport

Merkato e Milan-it gjatë kësaj vere ka qenë mjaft aktive, por kuqezinjtë ende nuk i kanë mbyllur afrimet për sezonin e ri. Klubi italian po mendon të afrojë një mrbojtës qendre, një mbrojtës të krahut të majtë dhe një sulmues. Për këtë të fundit, dy janë emrat që janë përfolur me shumë, Hugo Ekitike i Paris SG dhe Armando Broja i Chelsea-t. Për shtatlartin shqiptar, klubi anglez ka refuzuar mundësinë e huazimit tek Milan-i. Madje në Angli raportojnë se ‘blutë’ e Londrës nuk janë të hapur për një transferim të Brojës, duke qenë se për momentin është i projektuar si zëvendësuesi i Jackson. Por situata mund të ndryshojë në ditët në vazhdim. Milan-i mbetet optimist për afrimin e 21-vjeçarit, nëse Chelsea do të arrijë të sigurojë firmën me një tjetër sulmues. Për kuqezinjtë gjithësesi ka vetëm një alternativë për afrimin e tij, ajo e huazimit me të drejtë blerje. Nga ana tjetër Hugo Ekitike duket një investim shumë i madh në këtë moment të merkatos. Paris SG mund të lejojë 21-vjeçarin të largohet vetëm nëse për kartonin e tij do të paguhen 30 milionë euro, dhe gjasat që kuqezinjtë të bëjnë diçka të tillë janë thuajse zero.

Sa i përket mbrojtjes, tek Milan-i janë gati të konkretizojnë tratativat për Calafiori-n, menjëherë sapo të mbyllet largimi i Ballo-Toure drejt Werder Bremen, ndërsa në qendër, profili më i pëlqyer për momentin është ai i lojtarit të Norwich, Andrew Omobamidele. 21-vjeçari është raportuar edhe nga ana Moncada-s, teksa trajneri Pioli ka dhënë ‘dritën jeshile’ për ta patur në skuadër. Tek Norwich nuk heqin dorë nga kërkesa prej 15 milionë eurosh për kartonin e tij. Italianët nuk dëshirojnë të paguajnë kaq shumë dhe po tentojnë ta ulin çmimin. Nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, atëherë kuqezinjtë do të provojnë ta transferojnë gjatë merkatos së janarit.