Sergio Conceicao do të jetë trajneri i ri i Milanit, duke nisur punën që për sfidat e radhës në ‘SuperKupën’ e Italisë. Largimi i Fonseca-s nuk është se ishte ndonjë surprizë e madhe, për shkak të rezultateve dhe tensioneve në distancë mes tij dhe drejtuesve të klubit. Por shumë pak ishin në dijeni të lëvizjes së klubit për të gjetur trajnerin e ri, teksa thuhet se vendimi për të larguar nga detyra Fonseca-n, është marrë që pasditen e së premtes, më 27 dhjetor. Ndërkohë, Sergio Conceicao nuk ka qenë alternativa e vetme për drejtuesit e klubit kuqezi. Nga ajo që raportohet, Milani ka kontaktuar edhe me Massimiliano Allegri-n dhe Maurizio Sarri-n. I pari, nuk është parë si një mundësi reale, për shkak të pretendimeve financiare dhe garancive të kërkuara nga tekniku livornez. Sa i përket Sarri-t, ish-trajneri i Empoli-t, Napoli-t, Lazio-s dhe Juventus-it, ka patur një bisedim konkret për të mundësinë e mbërritjes në Milanello. Sarri-t thuhet se i është ofruar e njëjta kontratë me të cilin ka firmosur edhe Conceicao. Pra, një kontratë e vlefshme deri në fundin e sezonit aktual, me të drejtë rinovimi nga ana e klubit në rast se plotësohen disa objektiva. Ndërkohë që edhe paga, do të ishte e njëjtë për këto 6 muaj si në rastin e Conceicao-s, 1 milionë euro. Sarri në anën tjetër, ka kërkuar një marrëveshje deri në 2027-ës, me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër nëse arrihet kualifikimi në ‘Champions League’. Duke qenë se një propozim i tillë nuk i është vënë në tavolinë, Sarri ka thënë ‘jo’ ndaj ofertës fillestare të Milanit, si për të respektuar sipas tij edhe punën e bërë nga vetë ai deri më tani. Pas kësaj, drejtuesit e Milanit kanë nxituar për të mbyllur akordin me Sergio Conceicao-n, mbërritja e të cilit nuk është se i ka entuziasmuar të gjithë. Shumë janë të sigurt se karakteri i Conceicao-s është i duhuri për këtë Milan, ndërsa të tjerë kërkonin një emër që e njeh mirë ‘Serie A’, si e vetmja mënyrë për të ndryshuar situatën aktuale.