Largimi i Paolo Maldini-t tashmë është zyrtarizuar, si një prishje e kontratës pa konsensus, ndërkohë që edhe Ricky Massara tashmë konsiderohet jashtë projektit të Milanit. Figura e Maldini-t është një nga më të rëndësishmet e historisë së klubit kuqezi dhe ky largim i papritur i tij, padyshim që vazhdon të krijojë zhurmë. Madje në brendësi të klubit, mund të ketë krijuar edhe kaos, pasi Maldini gëzon një mbështetje të jashtëzakonshme nga ana e stafit drejtues dhe lojtarëve të ekipit. Ashtu siç pritej, ka ardhur një reagim nga ana e tifozëve ultras të klubit, që janë përpjekur të jenë pak më të ftohtë në komunikatën e tyre. Ata falenderojnë Maldini-n për punën e bërë dhe vunë theksin tek fakti se kontributi i tij në klub, si lojtar e si drejtues mbetet i pazëvendësueshëm. Sukseset e arritura në vitet e fundit, si rikthimi në ‘Champions League’, ‘Scudetto’ apo edhe gjysmëfinalet në elitën e futbollit europian, konsiderohen si vepër e Maldini-t, por ultrasit do të vazhdojnë të jenë në anën e klubit, duke shtuar ama presionin tek Cardinale dhe drejtuesit e tjerë, për të bërë një tjetër hap të madh përpara. Edhe pse shumë e shohin me dyshim këtë gjë pas largimit të Maldini-t dhe Massara-s, vetëm merkatoja e verës do të tregojë nëse fondi ‘RedBird’ ka vepruar drejt me këtë vendim drastik.
Nuk kanë vonuar edhe reagimet e lojtarëve të skuadrës, ku disa nga më të rëndësishmit për trajnerin Pioli, kanë shfaqur shqetësim e konfuzion rreth kësaj situate. Pas Leao-s, që postoi diçka në rrjetet sociale ende pa u zyrtarizuar lajmi i largimit të Maldini-t, ka qenë Mike Maignan që ka publikuar fotot e firmosjes së tij me kuqezinjtë, me mbishkrimin që ‘Përgjithmonë Milan?’, e vënë në pikëpyetje nga ana e francezit. Kjo ka sjellë shqetësim tek tifozët, që mund ta marrin këtë reagim si një mesazh largimi të Maignan në të ardhmen e afërt. Ndërkohë që dedikim për Maldini-n e Massara-n kanë bërë edhe lojtarë si Sandro Tonali, Fikayo Tomori apo Yacine Adli, si për të treguar mbështetjen e tyre ndaj legjendës së klubit.