Serie A, Milan, Tare synon të befasojë me afrimin e Lewandowski

Sport

Në moshën 40-vjeçare, Luka Modric po shfaq një rendiment të jashtëzakonshëm në ‘Serie A’ me Milanin, ku tashmë shihet si një lider absolut. Modric ishte një nga goditjet më të rëndësishme të merkatos së Milanit, me drejtorin Igli Tare që këmbënguli në transferimin e kroatit. Por mesa duket, një transferim të ngjashëm, Tare synon ta realizojë edhe në merkaton e ardhshme verore. Në Spanjë ka filluar të qarkullojë lajmi se dëshira e drejtorit të Milanit, është afrojë në fundin e sezonit aktual, me parametra zero, sulmuesin e Barcelonës, Robert Lewandowski. Polaku është në vitin e fundit të kontratës së tij me katalanasit dhe Tare beson që Lewa, mund të jetë një rast i mirë për t’u shfrytëzuar. Tashmë 37-vjeçar, ish-lojtari i Dortmund dhe Bayern njihet si një profesionist ekzemplar kur vjen puna tek stërvitja dhe përgatitja fizike, çfarë në situatën e tij, vlerësohet jashtëzakonisht shumë. Sezonin e kaluar, Lewandowski e mbylli me plot 42 gola të shënuar, ndërkohë që zbriti në fushë në 52 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Edhe këtë sezon, polaku nuk ka shfaqur probleme fizike, duke shënuar 4 gola në 6 takimet e para të ‘La Liga’-s. Për momentin, mes tij dhe drejtuesve të Barcelonës nuk zbulohet të ketë një tratativë serioze për rinovimin e kontratës dhe Tare është vënë në lëvizje për ta bindur sulmuesin të firmosë me Milanin në fundin e sezonit aktual. Robert Lewandowski është pjesë e Barcelonës që nga vera e vitit 2022, kur katalanasit vendosën të paguanin asokohe plot 45 milionë euro, për të marrë kartonin e tij nga Bayern Munich.