Serie A, Milan studion emra të rinj për mesfushën; do të ketë përforcim edhe në mbrojtje

Sport

Zyrtarimi i Renato Sanches tek PSG mbylli përfundimisht të gjitha dritaret e shpresës për Milanin, që prej kohësh përpiqej të arrinte një marrëveshje për mesfushorin portugez. Largimi i Franck Kessie në fundin e sezonit të kaluar ka sjellë jo pak probleme për trajnerin Stefano Pioli, që ende nuk ka në dispozicion zëvendësuesin e denjë të tij.

Prej ditësh, Maldini e Massara po punojnë në heshtje për të bërë goditjen e radhës dhe sipas asaj që zbulojnë mediat italiane, si objektiva për mesfushën tashmë kanë dalë dy emra të rinj, jo shumë të njohur. Si prioritet po shihet 21-vjeçari nigerian Raphael Onyedika, i cili aktivizohet me danezët e Midtjylland dhe që shihet si emri i duhur për të sjellë pak muskuj në qendër të fushës. Mesfushori me tipare mbrojtëse ka një vlerë të kartonit të tij deri në 5 milionë euro, por drejtuesit e Midtjylland mund të kërkojnë edhe më shumë, duke parë kontratën afatgjatë të tij. Një tjetër emër që po studiohet është edhe ai i Baptiste Santamaria, 27-vjeçari që aktivizohet në radhët e Rennes në Francë e që vlerësohet rreth 14 milionë euro. Nëse asnjë nga këto hipoteza nuk do të realizohet, atëherë si zgjidhje të shpejtë shihet transferimi i një mes Frattesi, Tameze apo Fofana.

Drejtuesit kuqezinj janë të prirur të plotësojnë dëshirën e trajnerin Pioli edhe për një përforcim në mbrojtje. Japhet Tanganga i Tottenham, Evan N’Dicka i Eintracht Frankfurt dhe Abdou Diallo i PSG janë profilet kryesore me të cilat po punojnë Maldini e Massara. Por me një buxhet të limituar në merkato, paratë e mbetura do të shpenzohen për afrimin e një mesfushori, ndërkohë që në mbrojtje, duke parë se emri që do të vijë do të shihet si alternativë e tretë apo e katërt, Milani nuk propozon më shumë se sa një huazim me të drejtë blerjeje. Kjo formulë është e vështirë për t’u pranuar nga skuadrat që zotërojnë kartonet e lojtarëve të përmendur me sipër. Gjithësesi, Maldini është duke këmbëngulur për të gjetur një marrëveshje të tillë, edhe pse ka ende kohë deri në fund të merkatos dhe fillimisht do të mendohet të sigurohet një mesfushor.