Ashtu siç është përfolur prej javësh, Ruben Loftus-Cheek do të jetë goditja e parë në merkato për Milanin e trajnerit Stefano Pioli. Mesfushori anglez do të transferohet tek skuadra kuqezi për sezonin e ardhshëm, teksa është arritur një marrëveshje prej 18 milionë eurosh, duke llogaritur këtu edhe bonuset, me Chelsea-n, që ka hequr dorë nga kërkesat fillestare për kartonin e lojtarit. ‘Blutë’ e Londrës pretendonin të përfitonin më shumë se 20 milionë euro për Loftus-Cheek, mirëpo mesfushorit 27-vjeçar i ka mbetur vetëm një vit kontratë, duke bërë që drejtuesit e klubit anglez të pranojnë ofertën e Milanit. Edhe agjentët e lojtarit kanë gjetur një akord paraprak sa i përket kontratës, që pritet të jetë 5-vjeçare. Ndërsa sa i përket pagës, Loftus-Cheek ka pranuar një ulje të ndjeshme në krahasim me atë që përfitonte tek Chelsea, por në kontratën e tij do të përfshihen shumë bonuse, në rast të arritjes së objektivave.
Por Milani vijon bisedimet me Chelsea-n edhe për një lojtar tjetër, që i intrigon jo pak drejtuesit kuqezinj. Bëhet fjalë për Christian Pulisic, për të cilin trajneri Pioli ka dhënë pëlqimin e tij për ta patur në skuadër. Njësoj si në rastin e Loftus-Cheek, edhe Pulisic i skadon kontrata me klubin anglez në qershorin e 2024-ës dhe Milani kërkon të përfitojë për ta transferuar në Itali me një çmim të arsyeshëm. Milani po përpiqet të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira me klubin londinez për të avancuar me bisedimet, për një shifër të ngjashme me atë të transferimit të Loftus-Cheek. Në ditët në vijim, Milani do të bëjë një ofertë zyrtare për Pulisic, për të mos humbur kohë e për të mos i dhënë mundësi klubeve të tjera të përfshihen, çfarë mund të hapte një ankand për kartonin e sulmuesit.
Mediat italiane ndërkohë flasin edhe për një interesim të shtuar të Milanit për emra si Luka Romero, i cili duket gjithnjë e më pranë transferimit si lojtar me parametra zero apo edhe për talentin e AZ Alkmaar, Tijjani Reijnders. Mesfushori ka qenë një ndër më të mirët për skuadrën holandeze gjatë sezonit që lamë pas dhe Moncada, i cili tashmë ka edhe më shumë përgjegjësi për merkaton e Milanit, është një nga ata që po këmbëngul për transferimin e tij tek kuqezinjtë e drejtuar nga Stefano Pioli.