Serie A, Milan shtyn rikthimin e Maignan; ja kur kthehen ‘yjet’ e botërorit

Sport

ilani do të duhet të presë ende për të parë rikthimin e Mike Maignan. Portieri francez qëndron prej kohësh i dëmtuar jashtë fushës së blertë, duke humbur edhe botërorin në Katar. Por gjërat nuk duket të jenë përmirësuar edhe pas dy muajsh nga dëmtimi. Maignan u lëndua në grumbullimin me kombëtaren e Francës, në pulpën e majtë dhe gjërat nuk kanë ecur siç ishin menduar sa i përket rikuperimit. Lajmi konfirmohet edhe nga burime pranë klubit të Milanit, duke shtuar lajmet e këqija për trajnerin Pioli. Veç Maignan, në listën e të dëmtuarve është shtuar edhe Divock Origi. Sulmuesi belg pësoi një lëndim në miqësoren me skuadrën e Arsenalit dhe shkalla e dëmtimit do të konfirmohet vetëm pasi të jenë kryer të gjitha ekzaminimet në Milano. Gjasat janë që ai të humbasë ndeshjen hapëse të 2023-shit dhe jo vetëm, duke u kthyer në një çështje sa i përket aspektit fizik. Kuqezinjtë mund të detyrohen të luajnë me Rebic në qendër të sulmit në ndeshjen e parë të vitit të ardhshëm, duke qenë se edhe Giroud do të kthehet vonë nga angazhimi me Francën. Giroud dhe Theo Hernandez do të qëndrojnë pushim deri në datën 30 dhjetor dhe duket e vështirë që ata të jenë gati si titullarë për sfidën e 4 janarit ndaj Salernitanës. Ndërkohë që Rafael Leao, i cili ishte i angazhuar me Portugalinë, pritet të bashkohet me ekipin kuqezi pas Krishtlindjeve, duke u vënë në dispozicion të Piolit për ndeshjen e radhës. Situata e vështirë me dëmtimet mund të detyrojë Maldinin të përfshihet në merkaton e janarit, për të siguruar disa përforcime, edhe pse mundësia e investimeve të mëdha, për momentin është përjashtuar.