Ndonëse zhgënjimi i një sezoni të vështirë ende nuk ka kaluar, besimi i tifozëve tek Milani mbetet i madh. Këtë të lë të kuptohet fakti që klubi kuqezi, brenda muajit korrik, ka shitur të paktën 30 mijë abonime për sezonin e ardhshëm, një numër që pritet të rritet gjatë gushtit. 80% e këtyre, janë tifozët që kanë zgjatur abonimin ndër vite dhe cilësohen nga klubi si pjesë e rrjetit historik të tifozëve të Milanit. Mesa duket, pasioni për ngjyrat kuqezi nuk njeh kufij. Kjo, duhet cilësuar edhe për faktin se deri më tani, merkato nuk ka sjellë ndonjë emër të jashtëzakonshëm, duke përjashtuar ndoshta Luka Modric, që gjithësesi nuk pritet të bëjë diferencën në fushën e blertë. Trajneri Massimiliano Allegri mendohet të jetë një nga ata emra që ka shtuar besimin në radhët e 7 herë kampionëve të Europës, ndërkohë që shumë nga tifozët kuqezi, e shohin me pozitivitet punën e nisur nga drejtori i ri sportiv, Igli Tare. Projeksioni parashikon rritje të numrit të të abonuarve, por gjithësesi, nëse drejtuesit e klubit kërkojnë të garantojnë minimalisht fitimet e arritura në dy sezonet e fundit, do të duhet të ndezin atmosferën me ndonjë afrim të rëndësishëm. Një tjetër fakt që mund të ndikojë, është mungesa e Europës për Milanin, çfarë bën që tifozët të jenë të prirur të mos i humbasin sfidat në ‘Serie A’ apo ‘Coppa Italia’ të ekipit të Massimiliano Allegri-t.
