Veterani dukej se do të kishte mundësi të mëdha për të fituar unazën me mbërritjen në Arizona të Kevin Durant, por drejtuesit kanë vendosur të heqin dorë prej tij, duke e përfshirë në shkëmbimin me Washington Wizards për Bradley Beal. Kjo lëvizje duket se e ka zënë në mënyrë të papritur edhe vetë ‘CP3’, i cili është shprehur se nuk ka patur dijeni se emri i tij po diskutohej për t’u larguar nga skuadra e Suns.
38-vjeçari e pranoi se fillimisht e pati të vështirë ta pranonte këtë lëvizje, por sipas tij, në fund, basketbolli për drejtuesit është edhe biznes, prandaj të gjithë lojtarët duhet të kuptojnë se nuk mund të besojnë asnjëherë se e kanë vendin e tyre të garantuar. Mediat amerikane kanë raportuar se edhe Washington Wizards nuk kanë ndërmned të mbajnë lojtarin pjesë të skuadrës së tyre, duke e lënë të lirë të largohet. Vetë Paul ende nuk e ka të qartë se cili do të jetë hapi i tij i radhës, edhe pse së fundmi po përflitet për një rikthim të tij tek Los Angeles Clippers, ku do të gjente një ekip pretendent për titull, me Kawhi Leonard, Paul George e Russell Westbrook pjesë të kalifornianëve. ‘CP3’ ka qenë pjesë e Clippers për rreth 6 vite, nga 2011-a deri në 2017-ën. Një tjetër alternativë për të ardhmen e tij është edhe skuadra tjetër e Los Angeles, Lakers-at, ku gjendet edhe një nga miqtë më të mirë të Paul, LeBron James. Gjithësesi, lojtari është shprehur se do të marrë kohën e duhur dhe do të flasë edhe me familjen e tij për vendimin e radhës.