Serie A, Milan, Rinovimi me Leaon po ecën në rrugën e duhur; Massara optimist për akordin

Sport

Rinovimi i kontratës së Rafael Leaos mbetet një çështje delikate në radhët e Milanit. Lojtari më i mirë i ‘Serie A’ në sezonin e shkuar e ka shprehur dëshirën për të mbetur në radhët e kuqezinjve, por deri më tani nuk ka patur asnjë konkretizim, pra, një firmë në kontratë të re. Megjithatë, tek Milani nuk shqetësohen për këtë gjë. Njësoj si Paolo Maldini pak ditë më parë, edhe një nga drejtuesit e tjerë të kampionëve të Italisë, Frederic Massara është shfaqur optimist sa i përket rinovimit me Rafael Leaon. Massara u shpreh se të dyja palët janë besimplotë se do të arrihen shumë shpejt në një marrëveshje, duke qenë se vullneti i të gjithëve është të vijohet ky bashkëpunim. Ai zbuloi po ashtu se Milani ka patur komunikime të vazhdueshme me agjentin e lojtarit dhe së fundmi, edhe me babain e Leaos, i cili po ashtu është shfaqur optimist për të mbetur në Milano.

Tek Milani janë të prirur të plotësojnë kërkesat financiare të Leaos, të paktën sa i përket pagës së portugezit. Problem mbetet pagesa prej 19 milionë eurosh që futbollisti i detyrohet Sportingut të Lisbonës, shifër që Maldini thuhet se e ka ulur edhe më tej me anë të disa negociatatve. Ende nuk dihet se çfarë zgjidhje do të marrë ky problem, pasi agjenti i 23-vjeçarit, Jorge Mendes, kërkon të largojë përgjegjësinë nga klienti i tij. Ndërkohë që Maldini e Massara patën deklaruar dikur se kjo e Sportingut, nuk është një çështje që i përket Milanit. Megjithatë, është e qartë se rinovimi i Leaos mbetet i lidhur me pagesën që duhet bërë tek Sportingu. E rëndësishme për tifozët kuqezi është fakti se vetë lojtari kërkon të vazhdojë aventurën e tij tek Milani, ku synon të mbetet një nga elementët më të rëndësishëm të projektit të klubit. Edhe këtë sezon, Leao e ka nisur me ritëm mjaft të mirë në aspektin personal, me 4 gola e 8 asiste në 13 ndeshje mes kampionatit italian dhe ‘Champions League’-ës.