Dëmtimi i Rafael Leao-s ishte lajmi që askush tek Milani nuk donte ta dëgjonte në këtë sezon. Sulmuesi portugez u dëmtua menjëherë pas golit të shënuar ndaj Barit, në ndeshjen e vlefshme për ‘Kupën e Italisë’, duke mos qenë i pranishëm në sfidën hapëse të kuqezinjve në ‘Serie A’, kundër Cremonese-s. Edhe pse dëmtimi i tij nuk u cilësua si i rëndë dhe pritej një rikthim i shpejtë, gjërat nuk po shkojnë në këtë drejtim. Burime pranë klubit italian kanë konfirmuar se Leao ende nuk është plotësisht i rikuperuar dhe me gjasa, do të lihet pushim për sfidën e radhës ndaj Lecce-s. Trajneri Massimiliano Allegri nuk kërkon të rrezikojë duke e hedhur në fushë Leao-n, ende pa u rikuperuar plotësisht, prandaj gjasat janë që ai të mos jetë në listën e lojtarëve që mund të aktivizohen mbrëmjen e së premtes. Duke qenë se përpara qëndron pushimi nga angazhimet me përfaqësueset, tek Milani shpresojnë që kjo periudhë të shfrytëzohet më së miri për rikuperimin e yllit të skuadrës. Vetë Leao kërkon të jetë në fushë sa më shpejt, por lojtarit i është bërë e qartë se për momentin, duhet të jenë të kujdesshëm me menaxhimin e dëmtimit të tij. Kështu, njësoj si ndaj Cremonese-s, edhe kundër Lecce-s, Milani do të luajë pa një prej lojtarëve më të rëndësishëm të formacionit të Allegri-t. Kjo mund të shihet edhe si një mundësi për Samuel Chukwueze-n, i cili në anën tjetër thuhet se ka edhe një propozim të rëndësishëm në merkato, nga Fulham. Ndërkohë Leao thuhet se është pëfshirë në listën e kombëtares së Portugalisë për javën e parë të shtatorit, por drejtuesit luzitanë do të bisedojnë edhe me Milanin, përpara se të marrin një vendim final në lidhje me grumbullimin apo jo të sulmuesit.
