Milani nuk ia doli të ruante një avantazh prej dy golash në transfertën ndaj Parmës, në sfidën e vlefshme për javën e 11 të kampionatit italian. Kuqezinjtë tashmë qëndrojnë 2 pikë larg kreut, teksa nuk është hera e parë që ekipi i trajnerit Allegri shpërdoron avantazhet ndaj skuadrave që janë poshtë mesit të tabelës. Edhe rikthimi i Christian Pulisic nuk e ndihmoi Milanin të merrte 3 pikët në ‘Tardini’, ndërkohë që tifozët presin edhe rikthimin sa më shpejt të Adrien Rabiot, mungesa e të cilit në mesfushë nuk ka kaluar pa u vënë re. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Adrien Rabiot do ta shfrytëojë maksimalisht pushimin e futbollit të klubeve gjatë angazhimit të përfaqësuesve, për t’u rikuperuar në mënyrën e duhur. Gjasat janë që francezi të jetë në fushë në derbin e shumëpritur të 23 nëntorit, ku mendohet ta nisë si titullar. Edhe burimet pranë klubit lombard e kanë konfirmuar se rikuperimi i Rabiot ka ecur mirë dhe me ritme të larta, prandaj parashikimet janë që ai të jetë gati për sfidën ndaj Interit.
Një tjetër emër i rëndësishëm për trajnerin Allegri që mund të kthehet në kohë për derbin është edhe mbrojtësi anglez, Fikayo Tomori. Njësoj si Rabiot, Tomori do të vijiojë stërvitjen e personalizuar në Milanello, me shpresën për të qenë gati fizikisht për derbin, ku synon ta nisë si titullar në mbrojtjen e kuqezinjve. Në rast se gjërat për Rabiot dhe Tomori do të shkojnë sipas planeve, atëherë Allegri mund të ketë një skuadër të kompletuar për derbin ndaj Interit, ku e vetmja mungesë me peshë do të jetë ajo e sulmuesit Santiago Gimenez, që me gjasa mund të kthehet në fushë në muajin dhjetor.