Christian Pulisic është kthyer në një nga të preferuarit e tifozerisë së Milanit në këtë nisje të sezonit. I transferuar gjatë verës nga Chelsea, sulmuesi amerikan po bën gjithnjë e më shumë për vete kuqezinjtë, duke u kthyer në një nga elementët më të rëndësishëm të trajnerit Stefano Pioli deri më tani. 24-vjeçari gjeti rrugën e rrjetës që në ndeshjen debutuese në ‘Serie A’, ndaj Bologna-s, teksa ia doli të festonte një gol edhe në takimin e tij të parë në ‘San Siro’ ndaj Torino-s.
Amerikani ka folur së fundmi rreth kësaj aventure të re në karrierën e tij, që në fakt duket se ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Pulisic shprehet shumë i lumtur për zgjedhjen që bëri gjatë verës, pavarësisht ofertave të tjera që kishin ardhur në drejtim të tij, duke thënë se u udhëhoq nga pasioni për të mbërritur në Milano, ku ka gjetur ambjentin e mbështetjen e duhur për të dhënë më të mirën e tij. Ai zbuloi se tek Milan-i këmbëngulën shumë që ai të transferohej tek kuqezinjtë dhe ky ishte një sinjal i qartë se shihej si një element me vlera për sezonin e ri. Një nga gjërat që e kanë impresionuar më shumë sulmuesin, është padyshim edhe atmosfera në ‘San Siro’. Ndonëse ka luajtur vetëm në takimin ndaj Torino-s në stadiumin më të famshëm të Italisë, Pulisic thotë se ka ndjerë një emocion të jashtëzakonshëm nga mbështetja dhe atmosfera e tifozëve, edhe pse shokët e tij të skuadrës, i kanë thënë se gjërat arrijnë kulmin në takimet e ‘Champions League’-ës, apo edhe në derbi. Pikërisht një përballje si kjo e fundit do të vendosë kreun gjatë kësaj jave në ‘Serie A’ dhe Pulisic e pranoi se ëndrra e tij është të shënojë një gol vendimtar në përballjen direkte me rivalët e përjetshëm. Amerikani e mbylli intervistën e tij duke thënë se është herët për të folur për ‘Scudetto’-n, por padyshim që skuadra e Milan-it, sipas tij, e ka të gjithë potencialin për ta realizuar këtë objektiv, teksa nuk kurseu elozhet edhe për lojtarë si Rafael Leao, Theo Hernandez apo Olivier Giroud.